Përkundër reduktimeve të mëdha dhe ankesave për mungesë rryme, KEK-u, në periudha të ndryshme të vitit, po eksporton rrymë me të madhe. Vetëm tremujorin e tretë të vitit të kaluar, Kosova ka eksportuar 199,8 GWh energji elektrike, me një rritje prej 45.5 për qind. KEK-u thotë se gjatë muajve të nxehtë bie kërkesa, prandaj edhe ka tepricë të energjisë.
Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka rrymë me bollëk. Me statistika po del se përveç konsumit të brendshëm, Korporata në periudha të ndryshme të vitit, edhe po eksporton rrymë me të madhe. Në anën tjetër, nuk kanë të ndalur reduktimet dhe thirrjet e KEK-ut për ruajtjen e energjisë nga qytetarët.
Së paku, kështu flasin të dhënat nga Enti i Statistikave të Kosovës (ESK). Në gjashtëmujorin e dytë të vitit të kaluar, Korporata e vetme Energjetike në vend, sipas ESK-së, përveçqë e ka ulur hatashëm importin, edhe ka eksportuar rrymë me të madhe.
“Në tremujorin e tretë të vitit 2011, në Kosovë janë importuar 79,7 GWh energji elektrike. Krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2011, kemi ulje të sasisë së importuar për 42,2% të. Në raport me tremujorin e tretë të vitit 2010, sasia e importuar e energjisë elektrike ka shënuar ulje për 57,3%”, thuhet në raportin e ESK-së.
Në anën tjetër, për shkak të tepricës së energjisë, eksporti është rritur hatashëm. Këtë periudhë, Kosova ka eksportuar 199,8 GWh energji elektrike. Në raport me tremujorin e dytë të vitit 2011, rritja e sasisë së eksportuar të energjisë elektrike është për 45,5 për qind.
“Po ashtu, rritje të sasisë së eksportuar për 111,7 për qind kemi edhe në raport me tremujorin e njëjtë të vitit të kaluar”, konstaton ESK-ja.
Zëdhënësi i KEK-ut, Viktor Buzhala thotë se prodhimi i energjisë elektrike për tremujorin e tretë 2011, është rreth 1228 GWh, ndërsa kërkesa për energji elektrike gjatë këtij tremujori është rreth 1109 GWh.