Pasi që Lëvizja “Vetëvendosje” paraqiti dhjetë pyetje legjitime mbi takimet mes kryeministrit të Kosovës dhe presidentit të Serbisë, takime për të cilat ka njoftuar Wikileaks, Qeveria ka zgjedhur të mos përgjigjet, por përkundrazi po përpiqet të hedhë mjegull mbi faktet. Dy takimet Thaçi-Tadic nuk janë mohuar nga vetë Thaçi apo nga Tadic. Kështu thuhet në një reagim të sekretarit organizativ të “Vetëvendosje”, Dardan Molliqaj, rreth akuzave të deputetit të PDK-së, Bekim Haxhiu, në Kuvendin e Kosovës.
“Natyrisht që fjalët e Bekim Haxhiut nuk kanë asnjë të vërtetë brenda, e kushdo e kupton se përmes këtyre shpifjeve ai kërkon që të heqë vëmendjen prej pyetjeve tona mbi takimin e Thaçit me Tadicin, personin që disa ditë më parë deklaroi se ‘Kosova është tokë serbe’”, thuhet në reagim.
Molliqaj thekson se para se të fillonte “me shpifje, në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, për dallim nga Thaçi, Bekim Haxhiu e pranoi se këto takime kanë ndodhur”.
Duke i përsëritur pyetjet e Lëvizjes “Vetëvendosje”, Molliqaj e ka ftuar kryeministrin Hashim Thaçi që, siç thotë ai, të mos shmanget përmes Haxhiut apo të tjerëve, por të përgjigjet në dhjetë pyetjet e tyre.
Në seancën e Kuvendit, Haxhiu ka kërkuar sqarime nga Kurti për disa takime, siç pretendon ai, që ka pasur me serbët në komunën e Klinës, pastaj gjësendet që i janë gjetur atij në një rast të ndalimit nga Policia e Kosovës, po ashtu ka kërkuar shpjegim se si edhe pas lirimit nga burgu, Albin Kurti ka mbajtur korrespondenca me një femër serbe, e cila e kishte vizituar edhe gjatë kohës sa ai ishte në burg. Po ashtu, ai ka kërkuar sqarime për rastin, sipas tij, të pranimit të një pakoje nga Serbia.