Moti i keq kthen mbrapa Cooperin?

(E plotësuar) Vizita e paralajmëruar për të enjten në Prishtinë e ndërmjetësit për bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë, Robert Cooper, nuk do të mundë të realizohet për shkak të motit të ligë në Kosovë dhe bllokimit të rrugëve nga bora e madhe.
Zyrtarë nga Brukseli me kusht anonimiteti kanë njoftuar se Cooper pas vizitës në Beograd të mërkurën është kthyer direkt për në Bruksel duke anuluar kështu vizitën në Kosovë, ku ishte paraparë diskutim rreth raundit të ri të bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë.
“Ndërmjetësi Robert Cooper ka realizuar takimet e planifikuara në Beograd dhe për shkak të motit të ligë ai nuk do të udhëtojë drejt Kosovës, por do të kthehet në Bruksel prej nga do të ketë video-diskutim me udhëheqësen e bisedimeve nga pala kosovare Edita Tahirin”, ka thënë një zyrtar i lartë në Bruksel me kusht anonimiteti, ndërsa transmeton Zëri.
Zyrtarë nga Brukseli shfaqin bindjen e tyre se takimi që do të jetë përmes formave elektronike nuk do të zbehë rëndësinë e takimit dhe temat që do të diskutohen mes Cooperit dhe Tahirit.


Cooper në Prishtinë
Sipas njoftimeve nga Brukseli, ndërmjetësi i Bashkimit Evropian në dialogun Kosovë-Serbi, Robert Cooper, do të qëndrojë të enjten në Prishtinë, ku pritet të ketë takime me zyrtarë të lartë të qeverisë.
Një ditë më parë, ai ka qenë në Beograd, për të biseduar me shefin e delegacionit serb në dialog, Borislav Stefanovic.
Në një komunikatë të qeverisë së Serbisë është thënë se Stefanovic dhe Cooper kanë biseduar rreth çështjes së përfaqësimit rajonal të Kosovës dhe rreth zbatimit të marrëveshjeve të arritura në dialogun Beograd-Prishtinë. Në komunikatë nuk përmenden detaje të propozimeve të Stefanovicit, por mësohet se ky i fundit i ka propozuar ndërmjetësit evropian disa propozim-modele për përfaqësimin rajonal të Kosovës, që, sipas tij, janë në përputhje me Rezolutën 1244 të OKB-së.
Evropa e Lirw raporton se diplomatët evropianë kanë deklaruar se vazhdimi i dialogut dhe zgjidhja për përfaqësimin rajonal të Kosovës janë çështje të rëndësishme për euro-integrimin e Serbisë.