Kanë kaluar më shumë se një vit kur Ligji për rezervat shtetërore të Kosovës është miratuar nga Kuvendi i Kosovës, por ai nuk po zbatohet në praktikë nga Qeveria e Kosovës. Moszbatimi i këtij ligji mund të rrezikojë në masë të madhe qytetarët e Kosovës në rast të ndonjë embargoje ekonomike, apo edhe në raste katastrofave natyrore, pasi që Republika e Kosovës nuk ka në rezervat e saj asnjë kilogram miell.
Arta Istrefi nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë thotë se Ligji për rezerva shtetërore ka hyrë në fuqi në shtator të vitit 2010, ndërsa, sipas saj, më 8 qershor 2011 është themeluar departamenti për rezerva shtetërore. “Ne këtë kuadër është hartuar lista me artikujt e nevojshëm për rezerva, janë hartuar aktet e nevojshme nënligjore si dhe është bërë planifikimi i buxhetit për krijimin e rezervave”, tha ajo.
Sipas Arta Istrefi, rezervat shtetërore pritet të krijohen gjatë këtij viti, por ajo thotë se koha e saktë do të varet nga ndarja e buxhetit. “Ne shpresojmë që kjo do të ndodhë në gjashtëmujorin e parë të këtij viti”, tha ajo.
Istrefi thotë se kostoja vjetore është planifikuar të jetë fillimisht dy milionë euro, e pastaj në bazë të analizave dhe planifikimeve kjo kosto mund të rishikohet.
Edhe Myzejene Selmani nga Aleanca Kosova e Re thotë se Ligji për rezervat shtetërore të Kosovës duhet të zbatohet sa më shpejt që është e mundur.
Përndryshe sipas ligjit rezervat shtetërore të mallrave krijohen nga: Buxheti i Republikës së Kosovës, mallrat që vijnë si ndihmë humanitare, donacionet në mallra dhe ndihma financiare, si dhe mallrat e konfiskuara që kalojnë në pronësi të shtetit nga veprat kundërvajtjese, administrative dhe kryerja e veprave penale e që janë të destinuara për rezervat shtetërore të mallrave.