Haxhiu-Kurtit: Çfarë përmban zarfi i vajzës së ministrit të Milosevicit

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, e ka hapur seancën radhës të Kuvendit të Kosovës. Duke e akuzuar, sipas tij, për dëmet që është duke i shkaktuar vendit, ai ka kërkuar nga lideri i Lëvizjes “Vetëvendosje”, Albin Kurti, t’u përgjigjej në një mori pyetjesh.

Haxhiu ka kërkuar sqarime nga Kurti për disa takime, siç pretendon ai, që ka pasur me serbët në komunën e Klinës, pastaj gjësendet që i janë gjetur atij në një rast të ndalimit nga Policia e Kosovës, po ashtu ka kërkuar shpjegim se si edhe pas lirimit nga burgu, Albin Kurti ka mbajtur korrespondenca me një femër serbe, e cila e kishte vizituar edhe gjatë kohës sa ai ishte në burg.
Kosovapress raporton se deputeti Haxhiu ka vazhduar të kërkojë sqarime për rastin, sipas tij, të pranimit të një pakoje nga Serbia.
“Më datë 23 shtator 2011, përmes autobusit Beograd- Prishtinë ju keni marrë një korrespondencë pako në zarf që nënkryetari juaj Dardam Molliqaj e ka pranuar këtë pako të dedikuar për ju në stacionin e autobusëve në Prishtinë. Andaj do të ishte mirë të tregoni përmbajtjen e këtij zarfi që ia ka dërguar vajza e njërit nga ministrat e Milosevicit”, ka thënë deputeti Haxhiu duke akuzuar Kurtin se po fshihet pas flamurit kuqezi, duke kërkuar tradhtarë në këtë vend e duke mos pasur vizion për vendin.
Ndërkaq, deputetja e Lëvizjes "Vetëvendosje", Alma Lama, më të marrë fjalën ka ironizuar me deputetin Bekim Haxhiu, duke thënë se ajo to t’i përmbahet kërkesës së Kuvendit që të adresohen vetëm çështjet urgjente. Ajo ka folur për gjendjen e rëndë në disa fshatrave, të cilat janë bllokuar nga bora e madhe që ka rënë këto ditë të fundit. Me këtë rast, ka përmendur disa fshatra të Kosovës të cilat janë bllokuar nga bora e madhe, banorët e të cilave, nuk kanë mundësi qarkullimi. Lama kërkoi që të ndërmerret diçka në këtë drejtim.
Deputeti Burim Ramadani nga AAK-ja ka folur për moszbatimin nga Qeveria të vendimeve që po dalin nga Kuvendi i Kosovës. Ai e ka ngritur çështjen e mocionit të fundit që e miratoi Kuvendi për reciprocitet me Serbinë, duke thënë se as këtë vendim Qeveria e Kosovës nuk po e zbaton. Ramadani, po ashtu, ka shfaqur brengën e AAK-së që Qeveria e Kosovës nuk po i sjell në Kuvend marrëveshjet e arritura me Serbinë për t’i debatuar.
Ndërkohë, deputeti i Lëvizjes “Vetëvendosje”, Rexhep Selimi ka kritikuar udhëheqjen e Policisë së Kosovës për urdhërata që kanë dhënë me qëllimin e pengimit të protestës së 14 dhe 22 janarit. Sipas tij Inspektorati Policor i Kosovës duhet ta konstatojë dhe të marrë masat e duhura ndaj përgjegjësve dhe jo të kthehet në instrument të ushtrimit të dhunës nga ana e inspektorëve.