Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme i Shqipërisë, Edmond Haxhinasto, ka përshëndetur përshëndeti Deklaratën e takimit të fundit të Grupit Drejtues Ndërkombëtar (GND) për Kosovën, që i hap rrugën procesit të përmbylljes së pavarësisë së mbikëqyrur dhe funksionimit të Republikës së Kosovës si shtet i pavarur e sovran.
“Deklarata e GDN-së, që i hap rrugë përmbylljes së pavarësisë së mbikëqyrur, vjen në prag të kremtimit të katërvjetorit të shpalljes së pavarësisë së Republikës së Kosovës. Ajo do të shërbejë si një motivim i ri për njohje të reja dhe përshpejtimin e proceseve integruese të Kosovës, që tashmë kanë nisur me hapjen zyrtare të procesit të dialogut për liberalizimin e vizave për Kosovën”.
“Bashkohemi me thirrjet e GDN-së drejtuar të gjitha vendeve që ende nuk e kanë njohur Republikën e Kosovës, që ta njohin atë, pasi kështu i kontribuojnë forcimit të mëtejshëm të paqes, sigurisë e stabilitetit në rajon dhe integrimit të tij si një i tërë në strukturat evropiane dhe euro-atlantike”.
“Vlerësojmë qëndrimin e GDN-së ndaj integritetit territorial të Republikës së Kosovës në kuadër të kufijve të saj ekzistues, si dhe apelin që ai i drejton Serbisë, që ky shtet të veprojë në përputhje me zotimet e veta ndërkombëtare, t’i japë fund ndërhyrjes së saj në Kosovë, të tërheqë strukturat e saj paralele dhe të mbështesë përpjekjet e aktorëve ndërkombëtarë dhe institucioneve të Kosovës për promovimin e sundimit të ligjit në veri të Kosovës”, thuhet në një deklaratë për media të Haxhinastos.