Qeveria e Kosovës me ligjet “copy-paste”

Projektligjet i përgatit Qeveria e Kosovës dhe i dërgon ato në Kuvendin e Kosovës. Por, përmbajtja e këtyre ligjeve nuk kalon pa u kritikuar nga vetë deputetët, si dhe nga shoqëria civile. Ata konsiderojnë se ekzekutivi i vendit këto projektligje i merr “copy-paste”, për çka shumë prej tyre nuk mund të gjejnë zbatim në Kosovë.

Jo rrallëherë ndodh që pasi të miratohet një ligj, ende pa nisur zbatimi ai kthehet në Kuvend për shqyrtim. Sepse, si i tillë nuk mund të gjejë zbatim në terren!
Kryetari i Komisionit për Legjislacion, Arben Gashi, ka thënë për Kosovapress se ka ligje që janë absolutisht në diskrepancë me ligjet e tjera.
“Shpesh ndodh që të jenë në kundërshtim edhe me sistemin në Kosovë”, ka theksuar Gashi.
Kritika për përmbajtjen e ligjeve jep edhe deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu. Ajo thotë se Qeveria e Kosovës, apo ministritë përkatëse që i dërgojnë ligjet në Kuvend për miratim, nuk bëjnë asnjëherë ndonjë analizë se për kë po bëhet ai ligj apo se cilat interesa të qytetarëve do t’i mbrojë. Ajo përmend Ligjin për Konfiskimin e Pasurisë së Paligjshme, që sipas saj nuk ka fuqi retroaktive, si dhe Ligjin për Hoçën e Madhe të cilët banorët e atij fshati nuk e duan.
“Në Kuvendin e Kosovës shumë herë janë miratuar ligje vetëm sa për të thënë që ne po bëjmë ligje, pa i analizuar asnjëherë ato të rajonit e pa i përshtatur me standardet evropiane. Shumë herë vijnë në Kuvend ligjet që kanë mospërputhje me një ligj që është miratuar më parë”, ka deklaruar Haxhiu, sipas së cilës këto ligje merren “copy-paste” nga shtetet e tjera.
“Vetëm përkthehen në gjuhën shqipe”, shton ajo.
Driton Selmanaj, nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka thënë se në shumë raste ligjet që miratohen në Kuvend nuk janë në përputhje me interesat e qytetarëve.
“Ka kohë që Instituti Demokratik i Kosovës ka kritikuar përmbajtjen e projektligjeve apo kualitetin e projektligjeve që vijnë nga Qeveria në Kuvendin e Kosovës. Ndoshta kjo vjen si rezultat i mos konsultimit më të gjerë dhe një tendence të vazhdueshme që të marrim kopje nga vendet e rajonit pa u munduar fare që ligjet për Kosovën të jenë në përputhje me interesat e qytetarëve të Kosovës”, ka theksuar Selmanaj, i cili ka përmendur rastin e fundit kur është kopjuar Kodi Penal i Serbisë, gjegjësisht nenet ku flitet për lirinë e shtypit.
Ndryshe, që nga viti 2001 kur ka filluar edhe mandati i parë i legjislaturës, e deri më tash, Kuvendi i Kosovës ka miratuar 455 ligje, përfshirë edhe kodet.