Kosova, vendi i vetëm pa ligjin për pensione

Kosova ende nuk ka një ligj për pensionet, kurse në tryezën” Projektligji i Pensioneve – efektet dhe pasojat”, të organizuar nga Lidhja e Juristëve të Kosovës dhe Fondacioni "Friedrich Ebert", zyra në Prishtinë, u vlerësua se edhe 13 vjet pas luftës po vazhdon pozita e vështirë materiale, shoqërore e sociale dhe shkelja e të drejtave të pensionistëve kontribut pagues në Kosovë.
Në konferencën, ku ishin të pranishëm ekspertë të legjislacioniti dhe shoqata të ndryshme që merren me mbrojtjen e pensionistëve, u diskutua për mungesën e ligjit për pensionistët, duke fajësuar institucionet përkatëse vendore, por edhe Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën Botërore, që sipas tyre po e bllokojnë një ligj të tillë.
Sahit Dragaj, kryetar i Partisë së Pensionistëve të Kosovës, mungesën e ligjit për pensione dhe 13 vjet pas luftës e ka quajtur si “sui generis”, pasi, sipas tij, Kosova vazhdon të mbetet vendi i vetëm në botë që nuk ka ligj për pensione.
“13 vjet nga mbarimi i luftës s’kemi ligj për pensione, katër vjet prej shpalljes së pavarësisë nuk kemi ligj. Është rast sui generis jo vetëm në Evropë, por edhe në botë që mos të kemi ligj për pensione. Ne praktikisht nuk kemi pensione, as ndihma sociale. Ato janë ma të vogla jo vetëm në Evropë, por edhe në Afrikën Veriore dhe Amerikën Jugore. Askund nuk mund të hasim që pensionistët janë aq të diskriminuar sikurse në Kosovë. Arsyetimet vazhdimisht të pushtetarëve kanë qenë këto. Nuk ka pare për pensionistët, sepse FMN-ja dhe BB-ja nuk po lejojnë rritje, që nuk është e vërtetë. Nuk ka pare për pensionistët sepse fondin e pensionistëve të Kosovës e ka plaçkitë Serbia”, ka thënë Dragaj, raporton Kosovapress.
Ndërsa, kryetari i Lidhjes së Juristëve të Kosovës, Mazllum Baraliu, ka thënë se sa i përket ligjit për pensione kjo shoqatë ka bërë atë që është e mundur, mirëpo sipas tij, FMN-ja dhe BB-ja po e pengojnë miratimin e tij.
“Lidhja e Juristëve të Kosovës nuk ka heshtur, kemi bërë ligjin, kemi bërë debate disa herë, por s’jemi koordinuar ndoshta që të thirremi mes veti. Është mirë tash që jemi këtu përndryshe edhe ne nuk kemi kapacitete dhe asnjë përkrahje. Nuk është vetëm qeveria që është përgjegjëse, por ne jemi shumë të interesuar që t’i respektojmë qeveritë tona derisa punojnë mirë, kur s’punojnë mirë ne u themi se nuk e keni mirë. Qeveria ka kërkuar, ligji është bërë, ligji është pranuar nga të gjithë ju. Ligji ka qenë debat në të gjithë Kosovën. Qeveria ka pas gatishmëri edhe kjo tashmë që është, por FMN-ja dhe BB-ja thonë që nuk bën dhe pikërisht mua më kanë thënë se problemi është vetë tek këto dy institucione financiare ndërkombëtare”, ka thënë ai.
E mosmiratimin e ligjit për pensione po e vuajnë më së shumti pensionistët, të cilët vazhdojnë të mbesin në gjendje të palakmueshme.
Adem Zaplluzha, i cili tash 10 vjet është pensionuar, thotë se jeton me një ndihmë sociale, pasi që sipas tij, 40 euro nuk mund t’i llogarisë si pension, duke përmendur 40 vjet të kontributit të tij për këtë vend.
Megjithatë, ai mendon se për këtë kategori të shoqërisë mungon vullneti i atyre që janë kompetentë.
Sipas të pranishmëve varianti i propozim ligjit për skema pensionale të financuara nga shteti i kthyer në Qeveri nga kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës, me 26 dhjetor 2011, është drafti më i dobët i ndonjë projektligji, që ndonjë herë është sjellë në Kuvend për miratim.
Ndryshe, në Kosovë janë gjithsej 60.705 pensionistë kontribut pagues, duke përfshirë invalidët e punës dhe shfrytëzuesve të pensioneve familjare.