Partia Demokratike e Kosovës (PDK) pritet t’i hyjë garës për kryetar të komunës së Kaçanikut me kandidatin Besim Ilazi; Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me Sahit Belën; Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) me Tahir Çakën; Lëvizja Vetëvendosje (VV) me Shukri Lutën; Aleanca Kosova e Re (AKR) me Naser Tronin; kurse Lidhja Demokratike e Dardanisë (LDD) me Elife Murselin.
“Epoka e re” jozyrtarisht ka mësuar këta emra, si kandidatë të mundshëm për kryetar të komunës së Kaçanikut. Të kontaktuar nga gazeta, përfaqësuesit e partive politike nuk kanë mundur t’i konfirmojnë këto informata, por kanë thënë se për kandidaturat për kryetar të komunës vendosin degët në Kaçanik.
Qytetarët e Komunës së Kaçanikut do t’u drejtohen kutive të votimit për ta zgjedhur kryetarin e tyre më 17 qershor, pasi ish-kryetari i komunës së Kaçanikut, Xhabir Zharku, është dënuar me 3 vjet burgim për vepër penale.
Komuna e Kaçanikut njihet si bastion i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), e cila që nga viti 2000 e ka qeverisur këtë komunë.