Partia e Behgjet Pacollit, duket se ka hequr dorë përfundimisht nga kërkesa për marrjen edhe të një ministrie në Qeverinë e Kosovës, në bazë të marrëveshjes së arritur me partnerin e koalicionit, partinë e kryeministrit Hashim Thaçi.
Ndonëse, AKR, disa herë kishte kërcënuar partnerin e koalicionit, PDK-në se do të prishë “kurorëzimin”, nëse nuk merr edhe një ministri, tashmë kjo çështje duket se ka marrë fund, shkruan “Zëri”.
Zyrtarë të lartë brenda AKR-së i kanë deklaruar gazetës se zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli, tashmë ka hequr dorë përfundimisht nga kërkesa për marrjen edhe të një ministrie sipas marrëveshjes me PDK-në për bashkëqeverisje.
Sipas këtij zyrtari, kjo ka ndodhur me pëlqimin e dy liderëve politikë Thaçi-Pacolli, të cilët edhe kanë ndërtuar marrëveshjen për qeverisur me vendin gjatë këtij mandati. Ministria e premtuar nga partneri i koalicionit, PDK, thotë burimi është këmbyer me poste diplomatike dhe pozita të bordeve ekzekutive të ndërmarrjeve publike.
Nga ana tjetër, zyrtar të partisë së kryeministrit Hashim Thaçi kanë deklaruar se partneri i koalicionit, AKR ka “hise” të madhe në qeveri, duke marrë parasysh numrin e ulëseve që ka në Kuvendin e Kosovës.
Zëvendësministri i FSK-së, Shemsi Veseli, i cili është anëtar i Kryesisë së PDK-së ka deklaruar se “AKR ka vend të mjaftueshëm në kuadër të Qeverisë së Kosovës, sikurse të ministrave, zëvendësministrave, zëvendëskryeministrave, por edhe në departamente tjera”.
Marrëveshja e arritur për ndarjen e pushtetit mes Thaçit dhe Pacollit kishte paraparë që AKR t’i ketë pesë ministri, ndërkaq ky subjekt politik aktualisht i drejton katër dikastere qeveritare.
Por, analistë politikë konsiderojnë se është e palogjikshme dhe shqetësuese që në këtë kohë të mendohet për ndarjen e posteve qeveritare.