Sindikata e Pavarur e Radio Televizionit të Kosovës ka reaguar të mërkurën lidhur me konkursin për pozitën e kryeredaktorit në televizionin publik, RTK.
“Është shkelur kontrata kolektive e lidhur ndërmjet Sindikatës dhe Menaxhmentit të RTK-së, sipas së cilës një përfaqësues i deleguar nga Sindikata duhet ta vëzhgojë gjithë procesin e konkursit. Për herë të parë pas hyrjes në fuqi të Kontratës Kolektive, Sindikata e RTK-së është ftuar vetëm në fazën e intervistimit të kandidatëve, derisa ka munguar ftesa nga Menaxhmenti për fazën e seleksionimit dhe atë të vendimmarrjes, që do të thotë se vendimi është marrë në një ambient jotransparent”, thuhet në reagim.
Sipas Sindikatës, ka disa muaj që Bordi i Drejtoreve të RTK-së është jofunksional për shkak se tre anëtarëve të këtij institucioni (përfshirë kryetarin dhe nënkryetarin), u ka skaduar mandati. Prandaj, thonë ata, ky institucion është “jo legjitim në marrje të vendimeve”.
“Është joserioze që një Menaxhment në përfundim të mandatit të marrë vendime të cilat do të kenë jetëgjatësi vetëm disa muaj... Shpallja e konkursit për pozitën e Kryeredaktorit është bërë duke u bazuar në kompetencat dhe përgjegjësitë e parapara me ligjin e vjetër të RTK-se, derisa dihet se RTK-ja tanimë e ligjin e ri ne fuqi”.
Për Sindikatën, mungesa e aplikuesve jashtë RTK-së, për këtë pozitë, e bënë këtë proces të dyshimtë. Ndërsa, kulmi i parregullsive, për ta, vlerësohet kandidati i emëruar në këtë postë.
“Është skandaloze që Kryeredaktor i një mediumi që ka mision të jetë në shërbim të të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës, të emërohet personi me emrin Mufail Limani , i cili në paraqitjet e tij të shpeshta një debatet televizive në cilësinë e analistit, i bënte publike qëndrimet e tij proqeveritare. Gjithashtu, është e njohur se z. Limani nuk ka dëshmuar përkushtim dhe profesionalizëm gjatë kohës sa ka qenë redaktor i informacionit ne RTK-TV dhe së fundi redaktor ne ueb-faqen e RTK-se”.
Sindikata e Pavarur e Radio Televizionit të Kosovës i drejtohet Kuvendit të Republikës së Kosovës, rregullatorit për media, KPM-se, institucioneve relevante vendore e ndërkombëtare, me kërkesën që t’i analizojnë këto vërejtje të tyre, dhe ta shpallin të pavlefshëm “vendimin e një Bordi jofunksional”.
“RTK-ja për herë të parë gjunjëzua financiarisht kur e filloi këtë vit me një deficit buxhetor prej 3.5 milionë eurosh, kurse me aktin e vet te fundit ajo definitivisht po e vulos nënshtrimin e vet ndaj presionit politik”, thuhet në fund të reagimit.