EXIT pranon Kosovën

Në konferencën Share, organizator i së cilës është festivali EXIT i Novi Sadit, do të promovohet projekti që prezanton shtetin e Kosovës.

Konferenca fillon të enjten në Pallatin e Rinisë në Beograd, ndërsa përfundon të shtunën më 26 prill, kur do të promovohet projekti “Kosovo 2.0".
Lëvizja serbe “Nasi” (tanët) kërkon nga policia ndalimin e mbajtjes së promovimit, ndërsa në deklaratën e organizatës thuhet se konferenca si pjesë të programit ka paraparë edhe pjesëmarrjen e njerëzve që qëndrojnë prapa projektit "Kosova është 2.0".
“Projekti ‘Kosovo 2. 0’ merret me promovimin e drejtpërdrejtë të narko-shtetit të Kosovës si shtet i pavarur, që nuk është në përbërje të Republikës së Serbisë, gjë që paraqet shkelje të rendit kushtetues të Serbisë”, thuhet në deklaratën e “Nasi”, transmeton Kurir. Në deklaratë kërkohet nga Prokuroria publike ngritja e akuzës kundër atyre që janë përgjegjës.
Në faqen konferencës Share thuhet se ata veprojnë pa censurë dhe pa frikë, ndërsa në ueb-faqen e "Kosova 2.0", në thuhet se organizata kërkon vullnetarë të cilët janë të gatshëm t’i bashkohen prezantimit dhe promovimit të shtetit më të ri të Evropës.
Askush nga organizatorët e konferencës nuk është përgjigjur në pyetjet e dërguara nga Kurir.