Rektorit s’i bëjnë përshtypje hetimet

Rektori i Universitetit të Prishtinës, Mujë Rugova në ditën kur gazetat shkruanin për hetime në UP lidhur me rrogat e dhëna deri në 8 mijë euro kishte zgjedhur të relaksohej në një kafiteri.

Por mëngjesin duket se ia prishën aktivistë të organizatës “Studim, kritikë, veprim”.
Një aktivist i organizatës “STUDIM KRITIKË VEPRIM” ia dha gazetën “Express” e cila në faqe të parë kishte hetimin e Policisë së krimit ekonomik në rektoratin e UP-së lidhur me pagat e muajit tetor të vitit që shkoi, e të cilat arritën deri në 8 mijë euro.
Aktivisti ia dha gazetën, duke i thënë “Mirëdita rektor, qe gazetat çka kanë shkru sot për ju... sa shëtitësh nëpër Evropë ka tri javë ditë merru më mirë me Policinë”.
Pas kësaj, rektori i acaruar e hedh tutje gazetën.
Kjo pason me deklaratat tjera të aktivistit, duke i thënë sërish rektorit se “merrnu me gazeta dhe kshyrni çka jeni tu ju bo studentëve”.
Kjo duke ta ketë nervozuar edhe më tutje rektorin e Universitetit të Prishtinës, i cili me arrogancë shprehet “ec more... shko mëso”.
‘Studim, veprim, kritikë”, u bëri thirrje të gjithë studentëve të UP-së të jenë aktiv dhe të organizuar për të ngritur preokupimet e tyre, të mos presin nga Parlamenti Studentor dhe organizatat studentore, sepse Universiteti është çështje e shoqërisë, e jo e ndonjë institucioni apo organizate.
“Universiteti i Prishtinës është në rrezik! Shoqëria jonë është në rrezik! Ky universitet është bartës kryesor i arsimit të lartë në Kosovë. Juristët, ekonomistët, gjuhëtarët, politikanët, mjekët e inxhinierët e shoqërisë sonë në të ardhmen do të dalin nga Universiteti i Prishtinës, prandaj korrupsioni në të duhet të merret seriozisht e të trajtohet seriozisht nga gjithë shoqëria jonë”, thuhet në kumtesë.