Kuçi: Kemi kaluar nëpër një histori aspak të drejtë

Gjykata Ndërkombëtare Penale paraqet një instrument të rëndësishëm për të vënë para përgjegjësisë të akuzuarit për krime lufte në të gjithë botën, mirëpo kjo gjykatë paraqet po ashtu një goditje shkatërruese në kulturën e gjatë të mosndëshkimit që drejtuesit dhe planifikuesit e krimeve ndërkombëtare kanë gëzuar për një kohë shumë të gjatë.

Kuçi këto deklarata i bëri në konferencën “Republika e Kosovës dhe Gjykata Ndërkombëtare Penale”, e organizuar nga Fakulteti Juridik i UP-së, Friedrich Ebert Stiftung, ICLS dhe IRZ.
Duke folur për ndëshkimin e përgjegjësve për krime lufte, ai tha se Gjykata Ndërkombëtare Penale paraqet një instrument të rëndësishëm dhe të besueshëm për të vënë para përgjegjësisë të akuzuarit për krime lufte në të gjithë botën.
Sipas tij, populli dhe institucionet e Kosovës kanë treguar në vazhdimësi korrektësinë e tyre për sa i takon bashkëpunimit me Tribunalin Ndërkombëtar të Hagës për Krimet e Luftës në ish-Jugosllavi.
“Që nga viti 1999, ne kemi treguar çdo here forcën tonë morale dhe ligjore për t’iu përgjigjur secilës kërkesë të Tribunalit, qoftë për hetime ose për bashkëpunim tjetër. Por, në këtë rast Gjykata Ndërkombëtare e Penale paraqet një goditje shkatërruese në kulturën e gjatë të mosndëshkimit që drejtuesit dhe planifikuesit e krimeve ndërkombëtare kanë gëzuar për një kohë shumë të gjatë”, theksoi Kuçi.
Ai më tej u shpreh se Gjykatat e Nurembergut, Tokios, Ish-Jugosllavisë dhe Ruandës, treguan se krijimi i një Gjykate Ndërkombëtare Penale është i domosdoshëm, për vetë operimin e saj në praktikë.
Sipas tij, ekziston bindja e përgjithshme se tashmë, shumë shtete besojnë se Gjykata do të jetë një mekanizëm i aftë në të vërtetë dhe të shndërrohet në një trupë jo politike, të drejtë dhe të paanshme.
“Ne si shoqëri kemi kaluar nëpër një histori aspak të drejtë dhe të hidhur. Jemi me shumë fat që ajo ka përfunduar dhe tash e shumë vite ecim të lirë në vendin tonë, ndonëse nuk duhet asnjëherë të refuzojmë që të kthejmë kokën prapa për të parë atë që ka ndodhur, si ka ndodhur dhe më me rëndësi të zbulojmë se çfarë të bëjmë tash e tutje që kjo të mos ndodhë më asnjëherë. Prandaj, konsideratë e veçantë do t’i jepet bashkëpunimit me mekanizmat ndërkombëtar të Drejtësisë. Aktualisht Republika e Kosovës po përballet me një fazë kalimtare, e cila do të shpijë nga pavarësia e mbikëqyrur tek ajo e një shteti plotësisht sovran, prandaj edhe bashkëpunimi ynë ndërkombëtar do të intensifikohet fuqishëm”, deklaroi zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi.
Sipas tij, ashtu siç Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e ka legjitimuar edhe ‘’de jure’’ pavarësinë e Kosovës me opinionin e saj këshillëdhënës, dhe për të cilën populli i Kosovës nuk ka pasur mëdyshje asnjëherë, Republika e Kosovës çdo herë është e gatshme për të provuar se autoriteti moral dhe juridik i Konventave ndërkombëtare të cilat mbrojnë njerëzimin anekënd botës, është forca kryesore e sigurimit të një bote të lirë pa dhunë dhe konflikte.