Anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Eqrem Kryeziu, ka kërkuar nga përfaqësuesit e institucioneve shtetërore t’u shmangen pazareve për zgjidhjen e problemit të veriut. Kryeziu ka thënë se pakoja e Ahtisaarit është oferta më e mirë për serbët që jetojnë në veri.
Në një prononcim për “Epokën e Re”, Kryeziut nuk i ka pëlqyer aspak ideja për krijimin e një qeverie teknike, e cila do të merrej me çështjen e veriut të Republikës së Kosovës.
“Është shumë më mirë që për zgjidhjen e çështjes së veriut të merret qeveria aktuale. Askund në botë qeveritë teknike nuk përmenden për të mirë. Qeveria aktuale e ka mandatin të merret me problemet që i preokupojnë qytetarët edhe në veri, pavarësisht se kjo Qeveri ka ardhur në pushtet me disa manipulime dhe vota të vjedhura”, është shprehur Kryeziu, duke shtuar se ndoshta Qeveria aktuale është duke pasur frikë nga ky proces.
“Ndoshta Qeveria po tutet të marrë përgjegjësi në veri, apo më mirë është t’i pyesni ata”, ka deklaruar Kryeziu.
Sipas tij, për çështjen e veriut të Kosovës ka nuanca të llojllojshme, por praktikisht dokumenti gjithëpërfshirës i presidentit Ahtisaari është oferta më liberale e mundshme në demokracitë evropiane.
“Sa i përket argumentimit të këtij dokumenti mua nuk do të më pengonte të bisedoj me këndo, por nuk do të pranoja të bëja pazare. Prandaj, në këtë kontekst nuk duhet të bëhet kurrfarë pazari me veriun, sepse është pjesë e pandashme e territorit të Republikës së Kosovës”, ka thënë Kryeziu.
Në këtë kontekst, anëtari i Kryesisë së LDK-së ka vlerësuar se për zgjidhjen e problemit të veriut të Kosovës duhet të merret Qeveria aktuale.