Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi në ditën e tretë të vizitës së tij në Japoni është takuar me homologun japonez, Yoshihiko Noda. Ky i fundit shprehu përkushtimin e tij dhe të qeverisë japoneze për thellimin e bashkëpunimit në mes të dy shteteve.
Në njoftimin e Kryeministrisë bëhet e ditur se kryeministri Thaçi falënderoi homologun japonez për mbështetjen që i ka dhënë Japonia Kosovës tash e 13 vite, si dhe shprehu solidaritetin dhe mbështetjen e popullit të Kosovës për popullin Japonez, pas tërmetit dhe cunamit, që ka goditur Japoninë vitin e kaluar.
Thaçi e informoi kryeministrin Noda për zhvillimet e fundit në Republikën e Kosovës në të gjitha fushat.
“Kosova është një vend i vogël, por i mundësive të mëdha. Ne tani duhet të mbyllim kapitullin e asistencës dhe të hapin kapitullin e zhvillimit dhe investimeve. Kosova ofron mundësi të mëdha për investime sidomos në fushën e minierave, energjisë, bujqësisë dhe turizmit”, është shprehur Thaçi.
Kryeministri Noda falënderoi Kryeministrin Thaçi për vizitën që po i bën Japonisë, si dhe falënderoi Qeverinë dhe popullin e Kosovës për mbështetjen dhe solidaritetin e shprehur pas tërmetit dhe cunamit të vitit të kaluar.
Noda shprehu përkushtimin e tij dhe të qeverisë për thellimin e bashkëpunimit në mes të Republikës së Kosovës dhe shtetit të Japonisë.
“Ju jeni takuar me akterët kryesor shtetëror dhe institucional në Japoni dhe vizita juaj paraqet një bazament solid për të thelluar bashkëpunimin në mes të shteteve tona”, ka thënë Noda.