AGPK ripërsërit kërkesën për heqjen e nenit 37 dhe 38‏

Asociacioni i Gazetarëve Profesionistë të Kosovës ka prezantuar para Komisionit për legjislacion të Kuvendit të Kosovës kundërshtimin e gazetarëve dhe medieve të Kosovës për nenin 37 dhe 38.

Kryetari i Bordit të Asociacionit të Gazetarëve Profesionistë të Kosovës, Arben Ahmeti ka lëshuar punimet e këtij debati pas prezantimit të qëndrimit AGPK-së.
“AGPK ashtu siç është dakorduar me përfaqësuesit e medieve dhe ka deklaruar disa herë publikisht, ka qenë e gatshme që të argumentojë para komisionit dhe çdo institucioni tjetër të Republikës së Kosovës kërkesën që nenet 37 dhe 38 të hiqen nga Kodi i Ri Penal i Kosovës. Mirëpo, AGPK nuk është e gatshme që të negociojë kërkesën, sepse çdo tendencë për riformulim apo rishkrim të këtyre dy neneve, nuk është gjë tjetër pos përpjekje për të cenuar lirinë e shtypit në këtë vend”, thuhet në kumtesën e AGPK-së, duke i bërë thirrje deputetëve të Kuvendit të Kosovës që të lënë anash garën për merita.
Sipas tyre nenet 37 dhe 38 janë të turpshme, dhe si të tilla, vazhdimi i debatit për to nuk i shërben përfitimit politik të askujt.
“Të dyja nenet cenojnë rëndë Lirinë e Shtypit në Kosovë dhe fundosin demokracinë në këtë vend. AGPK përsërit edhe një herë, se Kodi Penal i Kosovës do të mbetet i papranueshëm për gazetarët dhe mediet derisa përmban këto dy nene”, thuhet në kumtesë.