Në takimet dhe bisedat e shpeshta që ka pasur presidenti i Serbisë, Boris Tadic, me shefen për Politikë të Jashtme të BE-së, Catherine Ashton, një nga premtimet e bëra nga lideri serb ka qenë relaksimi i marrëdhënieve me Kosovën, në rast se ai ndihmohet për të mbajtur pushtetin në Serbi.
Në takime është folur edhe për mënyrën se si Partia Demokratike e Serbisë duhet ndihmuar për të fituar zgjedhjet, në këmbim të shtendosjes së marrëdhënieve Kosovë-Serbi.
Kjo dhe gatishmëria e shprehur për takim nga të dy liderët më të fuqishëm në Prishtinë dhe në Beograd, kanë nxitur përfaqësuesit ndërkombëtarë që të planifikojnë takimin Thaçi-Tadic.
Ditorja Zëri, ka marrë vesh nga burime të saj në Bruksel se takimi planifikohet për t’u zhvilluar pas zgjedhjeve të 6 majit në Serbi, ndërsa vendi ka shumë gjasa të jetë Sarajeva, kryeqyteti i Bosnjë e Hercegovinës.