Jahjagës ia shkruajnë fundin

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, mund të nisë numërimin e ditëve që i kanë mbetur në krye të shtetit.

Komisioni për ndryshime kushtetuese ka propozuar që ajo të qëndrojnë në zyrë deri në zgjedhjen dhe betimin e Presidentit të ri, raporton Express.
Kjo duhet të ndodhë brenda gjashtë muajsh, pasi të miratohen ndryshimet kushtetuese. Juristi Dastid Pallaska ka paralajmëruar se shkurtimi i mandatit mund të shpallet antikushtetues nga Gjykata Kushtetuese si dhe të nxisë krizë të re.
“Unë besoj se kjo do ta prodhojë një krizë kushtetuese për arsye se kjo bie ndesh me një mandat demokratik që i është dhënë”, ka thënë Pallaska për Klan Kosova.
Por, me këto konstatime nuk janë pajtuar shumica e anëtarëve të Komisionit për Ndryshimet Kushtetuese. Arsim Bajrami i PDK-së dhe Arben Gashi i LDK-së kanë deklaruar se nuk do të ketë probleme me mandatin e presidentes aktuale, pasi ndryshimet kushtetuese janë bërë mbi marrëveshjen e liderëve dhe mbi Rezolutën e Kuvendit.
Anëtarja tjetër e Komisionit, Vjosa Osmani, thotë se mbetet në dorën e Presidentes të vendosë se si do të largohet nga posti më i lart shtetëror. Ndërsa, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Afrim Kasolli, thotë se shkurtimi i mandatit është antikushtetues.
Nëpërmjet zëdhënësit Arbër Vllahiu, Presidentja ka thënë se do të flasë vetëm atëherë kur të kryhen procedurat.