Në Gllogjan është shënuar 14- vjetori i fillimit të luftës së UÇK-së në Dukagjin dhe 13-vjetori i ndërhyrjes së forcave të NATO-s ndaj caqeve serbe. Pjesëmarrës në këtë tubim ishin përfaqësues të jetës politike në Kosovë, Maqedoni, Shqipëri, përfaqësues të FSK-së, Policisë së Kosovës, shoqata të dala nga lufta, familje të dëshmorëve, përfaqësues fetarë e qytetarë të shumtë.
Në manifestimin e organizuar me këtë rast u tha se lufta e drejtë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është duke u dëshmuar si e drejtë dhe se edhe Ramush Haradinaj do të jetë së shpejti i lirë në Kosovë dhe në familjen e tij.
“Na bashkoi sot kjo datë në këtë vend të trimave dhe traditës së lashtë shqiptare, përvjetori i Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare në Dukagjin, dhe nderimi i përjetshëm dëshmorëve të rënë në altarin e lirisë, na bashkoi 24 marsi, dita e bashkimit të armëve të lirisë me NATO-n”, tha Jakup Krasniqi, kryetar i Parlamentit të Kosovës, raporton Koha.net.
Ai gjithashtu tha se drejtësia ndërkombëtare dy herë në Hagë dhe në Prishtinë, së fundmi, dëshmoi se gjuetia e shtrigave mbi ushtarët e Ushtrisë së Kosovës, ishin dhe janë të padrejta, dhe të motivuara politikisht.
“Ndërsa ekstradimi i Shemsi Nuhiut nga Zvicra tek autoritete e Beogradit dhe me fletëarrestin e shpallur për Fatmir Limajn e të tjerët, janë dëshmi që pasqyrojnë pafytyrësinë e politikës së Beogradit ndaj popullit shqiptar”, tha kryeparlamentari Krasniqi, duke shtuar se këto dhe shumëçka tjetër i flasin politikës sonë se si duhet biseduar me qeveritarët serbë dhe a duhet biseduar në vazhdimësi me kriminelët e qeveritarëve të Beogradit.
Edhe numri dy i qeverisë, Hajredin Kuçi, shprehu besimin se Haradinaj së shpejti do të jetë i lirë.
“Sa herë që përmenden ngjarjet e tilla, na bien në mend protagonistët e atyre ngjarjeve, ndërsa sot këtij tubimi i mungon kryeprotagonisti Ramush Haradinaj, por ne dhe e tërë bota demokratike i beson luftës së shenjtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dhe se Ramushi do t’i bashkohet familjes dhe Kosovës, duke punuar bashkërisht në angazhimet e reja për ta bërë Kosovën krenare, krahas shteteve të tjera dhe rrugën drejtë integrimeve euroatlantike”, tha zv/kryeministri Kuçi.
Ndërsa Ahmet Isufi,nënkryetar i AAK-së, tha se sot e kujtojmë datën që ka kuptim dhe rëndësi të dyfishtë për lirinë tonë, ditën kur nisi lufta e hapur në Dukagjin në vitin 1998, dhe ditën kur një vit më vonë pushkëve të lirisë ju bashkuan aeroplanët e NATO-s.
Sipas Isufit, në vazhdën e shumë sakrificave të rënda të bijve të UÇK-së, ajo më e rënda ishte e Ramush Haradinajt dhe bashkëluftëtarëve të tij, Idriz Balaj dhe Lahi Brahimaj.