Zbogar në darkë me biznesmenët pejanë

Përfaqësuesi special i BE-së në Kosovë, diplomati slloven Samuel Zbogar, gjatë qëndrimit të tij në Pejë ka takuar edhe biznesmenë të shumtë të Pejës.

Në darkën e organizuar për nderë të vizitës së tij, të pranishëm ishin përfaqësuesit e kompanive “Dukagjini Group”, “Devolli Corporation”, “Elkos Group”, “Gacaferri”, si dhe përfaqësuesit e Odës Ekonomike të Kosovës dhe ata të Zyrës rajonale të Pejës të Komisionit Evropian për Zhvillim.
Zbogar ka thënë se gjatë mandatit të tij në Kosovë do të favorizojë bizneset vendore si dhe do të mbështes përmirësimin e politikave fiskale në vend.
Gjatë takimit është folur edhe për politikat e CEFTA-s, kredive bankare dhe interesave të ndërsjella, si dhe lëvizjes dhe qarkullimit të lire të mallrave - duke respektuar politikat doganore.
Zbogar ka vlerësuar potencialin e bizneseve vendore, investimet e tyre, tregun e Kosovës për investime të huaja dhe potencialin e rinisë së vendit. Ai ka apeluar për bashkëpunim të ndërsjellët me zyrat rajonale të Komisionit Evropian, ndërsa ka inkurajuar projektet e përbashkëta dhe implementimin e tyre si nga bizneset lokale ashtu dhe nga zyrtarët e KE-së në Kosovë.