AAK-ja e kujton Epopenë e 24 Marsit

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) e kujton me respekt Epopenë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të 24 marsit 1998, betejën e parë të hapur kundër forcave pushtuese të Beogradit, në Zonën e Dukagjinit dhe ndërhyrjen e forcave të NATO-s në mbështetje të popullit të Kosovës, për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Në përvjetorin e 14-të të kësaj Epopeje, AAK-ja i kujton me respekt të gjithë dëshmorët e kombit dhe të rënët, që me jetën dhe guximin e tyre e shënuan atë ditë të madhe të përpjekjeve tona për liri e pavarësi.
“AAK, në prag të 24 Marsit e kujton, me respekt dhe falënderim për të gjithë miqtë tanë ndërkombëtarë dhe forcat aleate të NATO-s, në krye me SHBA-të, 13-vjetorin e ndërhyrjes së tyre kundër regjimit kriminel të Milosevicit dhe në mbështetje të përpjekjeve të popullit tonë për liri, pavarësi dhe dinjitet kombëtar e qytetar”, thuhet në komunikatë.
AAK-ja konsideron se synimet e përpjekjeve dhe të sakrificës së popullit tonë për liri dhe pavarësi, “nuk janë realizuar ende” dhe fton për angazhim dhe mobilizim më të madh në mbrojtje të vlerave tona të lirisë, të cilat edhe sot po cenohen nga qarqe të caktuara, që burimin e kanë në Beograd dhe te mbështetësit e tij.