Tadic: NATO ka bërë krim kundër Serbisë!?

Presidenti i Serbisë, Boris Tadic, nuk e ka ndërmend të kërkoj falje për krimet e shtetit serb kundër shqiptarëve të Kosovës. Në përkujtimin e 13 vjetorit të bombardimeve të NATO-s, ai nuk përmend krimet që ushtria dhe policia serbe kanë kryer mbi mijëra e mijëra civilë të pafajshëm shqiptarë. Përkundrazi, sulmet ajrore të NATO-s të vitit 1999, të cilat shmangën gjenocidin serb kundër shqiptarëve të Kosovës, i cilësoi si “krim kundër një shteti”.

"Vendi ynë është zhytur në shumë lufta gjatë tërë shekullit XX dhe gjithçka që bëjmë në të ardhmen duhet të ndërtohet ashtu që kurrë më të mos futemi në ndonjë luftë”, ka thënë Tadic në Aleksinc.
Sipas tij, përvjetori i sulmeve të NATO-së duhet të shënohet “për të kujtuar të vrarët (serbë - v.j.) dhe për ta shprehur besimin se shteti i Serbisë mund të ngritët në këmbë”.
"Fatkeqësisht, ne nuk mund të kthejmë të vdekurit, por duke i kujtuar mund ta shtojmë në një mënyrë kujtesën e tyre mes nesh”, ka thënë ai, transmeton Tanjug. “Ajo luftë ishte krim kundër shtetit tonë, kundër popullit tonë dhe nuk kam tjetër çka të shtoj”.