PDK me kabinet synon Prishtinën

Partia Demokratike e Kosovës ka marrë vendimin për ta formuar Kabinetin e Qeverisjes të Mirë për Prishtinën. Për këtë ide, në cilësinë e zëdhënësit të PDK-së ka folur Blerand Stavileci, i cili konsiderohet si kandidat potencial për kryetar të Prishtinës nga radhët e kësaj partie.

Sipas Stavilecit, formimi i Kabinetit ka ardhur për shkak të “qeverisjes së keqe në Prishtinë”. Ai tha se qytetarët e Prishtinës “vite me parë krenoheshin me qytetin e tyre, por sot ata tmerrohen”.
“I gjithë mundi i atyre që kontribuuan për të ndërtuar kryeqytetin ka rënë poshtë, për shkak të mos punës, pasivitetit dhe qeverisje së keqe komunale”, ka thënë ai, duke shtuar se modeli i Kabineti të Qeverisjes së Mirë për Prishtinën është “një model i provuar dhe i dëshmuar i ofrimit të zgjidhjes dhe jo i retorikës së pafrytshme”.
“Kabineti i Qeverisjes së Mirë për Prishtinën do të angazhoj personalitete të dëshmuara, profesionalistë, shoqërinë civile dhe të gjithë të tjerët që kanë ide zhvillimore, jashtë kornizave partiake. Kabineti i Qeverisjes së mirë për Prishtinën do të punoj së bashku me qytetarët dhe do t’i përfshijë ata në të gjitha proceset, diskutimet, debatet dhe proceset e tjera vendimmarrëse”, ka thënë Stavileci, transmeton KP.
PDK më parë, si parti opozitare, kishte themeluar një kabinet të tillë për t’iu kundërvënë qeverisë së koalicionit LDK-AAK.
Komuna e Prishtinës që nga viti 2001 udhëhiqet nga Lidhja Demokratike e Kosovës.