Diaspora shqiptare gjatë viteve ’90, përveç ndihmës së drejtpërdrejt në fondin e trepërqindëshit, ka ndihmuar edhe nëpërmjet blerjes së bonove të emetuara nga Qeveria në ekzil e Bujar Bukoshit. Por, blerësit e bonove nuk u kompensuan asnjëherë.
Siç raporton gazeta “Kosova Sot” shuma e këtyre bonove ishte 60 milionë marka gjermane. Por, për ish-kryeministrin Bujar Bukoshi kjo nuk paraqet asnjë sekret. Sipas tij, vlera e bonove të atëhershme ishte 500 dhe njëmijë maka gjermane. Ai konfirmon se paratë nuk u janë kthyer blerësve. Sipas tij, bonot nuk janë dhënë për t’iu kthyer në të holla, por të ketë një evidencë që kur Kosova të bëhet shtet të ketë lehtësime në investime për ata bashkatdhetarë që kanë kontribuar.
Sipas Bukoshit, ky aksion është zhvilluar në baza legale, në kuadër të aksionit të atëhershëm “Gjithçka për pavarësinë e Kosovës”. Po ashtu, Bukoshi është zotuar se do të bëjë një raport sqarues për fondet e trepërqindëshit.
Kjo vjen pas akuzave për shpërdorim të këtij fondi, të lansuara nga Ibrahim Kelmendi, veprimtar i Lëvizjes Popullore të Kosovës në Perëndim si dhe ish-anëtarit të kryesisë së LDK-së, Musa Daka.