Kosova është duke e paguar haraçin e krizës së euros, fluksit të refugjatëve nga Lindja e Mesme dhe Afrika Veriore dhe probleme të tera aktuale të Bashkimit Evropian, thotë ministrja e Integrimeve Evropianeve, Vlora Çitaku, duke shtuar se vendet e tjera të rajonit përfituan nga gjendja e dikurshme më e “relaksuar në shtëpinë evropiane”!
“Ne duhet të punojmë për një 10-she, në mënyrë që të marrë një 6-she”, ka thënë Çitaku për “Tribuna Shqiptare”.
Ajo vlerëson se Kosova e meriton liberalizimin e vizave dhe integrimin, jo për hir të një detyrimi bazuar në fondamentet morale, por sepse i ka “përmbushur kriteret e kërkuara”.
Ndërsa, premton se pas marrjes së Udhërrëfyesit, brenda një afati rekord “qytetarët tanë do të mund të lëvizin pa viza”, pasi edhe pësimet e vendeve të rajonit janë shndërruar “në mësime për Kosovën”!