Ndihma nga ajri për barinjtë e Restelicës

Pas njoftimit nga banorët lokalë të Restelicës dhe të fshatrave përreth, për pesë barinj të izoluar në vendin e quajtur ”Zlli Potok”, KFOR-i dje ka shpërndarë ndihma nga helikopterët.

 Sipas një njoftimi, Qendra e Situatave e Ministrisë së FSK-së, në bashkërendim me Qendrën e Situatave të Qeverisë, me KFOR-in, banorët lokalë dhe shoqatën ”Nëna Terezë”, arriti të koordinojë gjitha aktivitetet që ky operacion humanitar dhe emergjent të përfundojë me sukses.
Banorët nuk janë më në rrezik, pasi ndihmat e hedhura nga ajri - artikuj ushqimorë dhe gjëra tjera të nevojshme - do t’ua mundësojnë atyre një qëndrim më të gjatë në lokalitetin ku thuhet se janë duke u kujdesur për bagëtitë.
Banorët shprehen mirënjohës për të gjitha institucionet qeveritare dhe joqeveritare të Republikës së Kosovës, për KFOR-in dhe gjithë të tjerët që kontribuuan në këto momente të rënda për ta.