Nuk është vetëm një zëvendëskryeministër i Qeverisë së Kosovës i përfshirë në hetimet e EULEX-it, që është duke i zhvilluar përkitazi me rastin e ish-sekretarit permanent të Ministrisë së Shëndetësisë, Ilir Tolajt.
Përveç Bujar Bukoshit, për të cilin ende nuk është saktësuar nëse do të jetë dëshmitar bashkëpunues kundër Tolajt apo i ulur në bankën e të akuzuarve, në kuadër të hetimeve që po zhvillohen në këtë dosje figuron edhe emri i homologut të tij, zëvendëskryeministrit, njëherësh ministër i Drejtësisë, Hajredin Kuçit, si dhe emri i ish-ministrit të Kulturës, që tashmë mban pozitën e zëvendësministrit të Ekonomisë dhe Financave, Astrit Haraqija, njofton “Zëri”.
Haraqija, që konsiderohet si mik i ngushtë i Ilir Tolajt, i cili ka më shumë se katër muaj që gjendet në paraburgim si i dyshuar për korrupsion, e ka vizituar Tolajn gjatë qëndrimit në burg dhe kjo vizitë duket se do t’i kushtojë shtrenjtë.
Së paku burime të gazetës të afërta me rastin theksojnë se Haraqija i cili mban pozitën e zëvendësministrit të Financave e ka vizituar Tolajn në kohën kur ky i fundit po hetohej për “dallaveret” që ai dyshohet se i ka bërë në bashkëpunim me Ministrinë e Ekonomisë dhe të Financave.
Kjo vizitë, sipas burimeve të gazetës, është mundësuar pas intervenimit të bërë nga i pari i Ministrisë së Drejtësisë, Hajredin Kuçi.
“Tolaj ka më shumë se katër muaj që gjendet në paraburgim. Dhe në kuadër të hetimeve ai ka qenë duke u hetuar edhe për lidhjet dhe parregullsitë që ai ka mundur t’i bëjë bashkë me Ministrinë e Financave dhe mu në atë kohë atë e viziton zv/ ministri Astrit Haraqija. Dyshimet ndërlidhen me atë se Haraqija ka shkuar të shohë se çfarë mund të bëjë në këtë drejtim. E kjo vizitë e Haraqisë është mundësuar pas intervenimit që ka bërë në burgje ministri Hajredin Kuçi”, thotë një zyrtar i afërt me rastin, në kusht anonimiteti.