Kosova ka nevojë për rishqyrtim të decentralizimit

Akademia për Qeverisje Lokale ka diskutuar të mërkurën për procesin e decentralizimit në Kosovë dhe ka dalë me konkluzione se decentralizimi në Kosovë ka nevojë për rishqyrtim substancial.
Udhëheqësi i Akademisë për Qeverisje lokale, njëherësh drejtor i Instituti Kosovar për Qeverisje Lokale, Besnik Tahiri, duke folur për gjendjen e komunave në Kosovë dhe rezultatet e decentralizimit, theksoi nevojën e një rishikimi substancial të këtij procesi, në mënyrë që pushteti lokal të mbërrij më efektshëm tek qytetarët.

Tahiri po ashtu tha se reforma në qeverisjen lokale duhet të ndodhë më shpejt, por me një kujdes të shtuar të institucioneve qendrore gjatë bartjes së pushtetit nga niveli qendror tek ai lokal. “Me theks të veçantë them se nevojitet fleksibilitet i decentralizimit e sidomos përdorimit të ligjeve jo për të bllokuar, por që ligji të përdoret për të lehtësuar dhe bërë sa më efikase punën e qeverisë lokale”, tha Tahiri.

Në këtë modul të Akademisë për Qeverisje Lokale kishte edhe ligjërues ndërkombëtar.

Profesori Donald Curtis, specialist i manaxhmentit publik dhe zhvillimit institucional, me një përvojë të gjerë ndërkombëtare, gjatë diskutimeve me pjesëmarrësit e komunave që ndjekin këtë Akademi, tha se për një decentralizim të efektshëm, duhet të shfrytëzohen të gjitha resurset institucionale.

Edhe përfaqësuesit e komunave pjesëmarrëse në Akademi, mbështesin idenë e një rishikimi funksional të procesit të decentralizimit në mënyrë që të përmbyllet një fazë me sukses e cila ka nisur qe disa vite në Kosovë