Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Christopher Dell dhe ministri i Jashtëm i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, pritet të nënshkruajnë të mërkurën në Prishtinë një memorandum në fushën e sigurisë dhe edukimit.
Kjo është bërë e ditur përmes një kumtese për media nga Ambasada Amerikane në Prishtinë.
“Marrëveshja për mospërhapje të Armëve të shkatërrimit në masë, mbështetet në bashkëpunimin e suksesshëm, të cilën e gëzojnë shtetet tona, me ç’rast Shtetet e Bashkuara i ofrojnë Kosovës një spektër të gjerë programesh Kundër-përhapjes, që kanë të bëjnë me kontrollin e eksportit dhe sigurisë së kufirit, siguruar nga Qeveria Amerikane në bashkëpunim me programet e Departamentit të Shtetit”, thuhet në kumtesë.
Në fushën e arsimit ndërkaq, bëhet fjalë për memorandumin programin akademik “Fulbright’ të Shkëmbimeve, i cili mbështetet në programet që deri më tani, me sukses kanë shkëmbyer dhjetëra bursistë në mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara.
Qeveria e Kosovës tani do të marrë pjesë në financimin e programit të shkëmbimeve dhe në tri vitet e ardhshme do të sigurojë nga 100.000 dollarë amerikanë në vit, për këtë program.