Gruaja e Kosovës po bëhet gjithnjë e më e fuqishme!

Në këto vite të pasluftës është bërë progres në avancimin e rolit të gruas në aspektin politik, ekonomik dhe shoqëror. Gruaja e Kosovës është më prezente dhe më e fuqishme. Kështu ka thënë presidentja Atifete Jahjaga në konferencën e Gruas, të organizuar nga NAAC - Hope Fellowship.
 Por, sipas presidentes, mbetet akoma punë për t’u bërë që gruaja të zërë vendin e duhur, që i takon natyrshëm në shoqëri. “Jo pa qëllim e cilësova vendin e gruas në shoqëri si të natyrshëm. Sepse ne gratë jemi gjysma e shoqërisë dhe është më se e natyrshme që në këtë përqindje të jemi të përfaqësuara në çdo fushë të jetës”.

Presidentja ka thënë se pjesëmarrja dhe përfaqësimi i denjë i gruas në çdo segment të punës dhe jetës është një sfidë me të cilën përballen të gjitha vendet e botës, pavarësisht nivelit të tyre të zhvillimit Sipas saj, barazia gjinore tanimë është e drejtë dhe parim global, prandaj edhe kërkon dhe duhet të ketë trajtim global.

“Asnjë shtet nuk mund ta konsiderojë veten demokratik nëse gjysma e shoqërisë së saj nuk është e integruar. Askush nuk mund ta vë në mëdyshje nevojën e përfshirjes së gruas në proceset vendimmarrëse dhe politikëbërëse. Pjesëmarrja aktive e gruas në të gjitha proceset e ka dëshmuar sistemin e qeverisjes më të drejtë dhe më gjithëpërfshirëse, që i përgjigjet nevojave të grave dhe burrave të vendit. Është e dëshmuar gjithashtu se vendet ku hendeku gjinor është më i vogël janë vende më prosperuese që ofrojnë politika më gjithëpërfshirëse”.

Institucionet e Kosovës, sipas presidentes, kanë shfaqur vendosmëri të garantojmë përfaqësimin dhe pjesëmarrjen e gruas në çdo nivel të vendimmarrjes dhe të jetës publike. “Kosova ka marrë praktikat më të mira të dala nga Rezoluta 1325 e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara mbi Gruan, Paqen dhe Sigurinë, duke përfshirë në legjislacionin e saj kuotat e përfaqësimi në nivel qendror dhe lokal; që kanë rezultuar që mbi 30 për qind e deputetëve të Kuvendit të jenë gra dhe që disa ministri dhe procese kyçe të udhëhiqen nga gratë. Këto rezultate janë indikatorë pozitivë të progresit kur kemi parasysh që shumë vende ende nuk e kanë arritur këtë nivel të përfaqësimit. Por, gjithsesi, kjo nuk është e kënaqshme”.

“Shpeshherë më është bërë pyetja nëse caktimi i kuotave është zgjidhja më e mirë. Dhe unë jam përgjigjur se gjithsesi që kuotat nuk janë zgjidhja përfundimtare, por janë rrugë drejt zgjidhjes. Sidomos në këtë periudhë transitore nëpër të cilën po kalojmë ne, duhet të synojmë të arrijmë në atë pikë të zhvillimit dhe përparimit demokratik kur caktimi i kuotave të mos jetë më i nevojshëm, sepse gruaja si e barabartë, e aftë dhe profesionalisht e përgatitur konkurron barabartë me mashkullin për secilin pozicion në shoqëri”, ka thënë ndër të tjera presidentja.