Balotelli të largohet nga Anglia?

Sulmuesi i Manchester Cityt, Mario Balotelli, konsideron se është në shënjestër të gjyqtarëve anglezë dhe Federatës Angleze të futbollit, prandaj është duke menduar për t’u larguar nga Anglia.

Lojtari italian rrezikon katër ndeshje suspendim për shkak të një goditjeje që i bëri lojtarit të Tottenhamit, Scott Parker, ndërsa ky mund të jetë dënimi i radhës, nga të shumtit që ka marrë sulmuesi kontrovers që pas shkuarjes te City në vitin 2010.
“Ai ndjehet i përndjekur dhe nuk mund të vazhdojë ashtu”, ka thënë për BBC agjenti i tij, Mino Raiola, duke shtuar se SuperMario ka shkuar në Ligën Premier për t’u pjekur si njeri.
Mirëpo- ka thënë Raiola- nëse vazhdojnë ta dënojnë për gjithçka dhe nëse FA dhe gjyqtarët mendojnë se Balotelli nuk e ka vendin në Ligën Premier, atëherë ata do të kërkojnë një opsion tjetër.