Shtohet përkrahja kundër ligjit për Qendrën Historike të Prizrenit

Lëvizja për Bashkim mbështet fuqishëm protestën e paralajmëruar nga shoqëria civile në Prizren dhe i fton qytetarët e Kosovës që t’i bashkëngjiten asaj. Kjo lëvizje, përveç votimit kundër këtij ligji në Kuvendin e Kosovës, shpreh edhe një herë publikisht qëndrimin e saj kundër, dhe u bën thirrje të gjithë deputetëve që në shqyrtimin e dytë të tij ta hedhin poshtë atë.

Kjo duhet të bëhet: duke qenë se me këtë projektligj injorohet vullneti konsensual i qytetarëve, i Kuvendit Komunal të Prizrenit, i shoqërisë civile dhe i subjekteve juridike e politike; duke qenë se me këtë projektligj injorohen të gjitha dokumentet ekzistuese juridike të vendit dhe i njëjti është në kundërshtim të plotë me standardet ndërkombëtare që e rregullojnë çështjen e trashëgimisë kulturore; duke qenë se me këtë projektligj bëhet diskriminim në baza fetare e etnike, gjë që ngjall përçarje të mëdha midis qytetarëve dhe duke qenë se ky projektligj e bën jofunksionale Qendrën Historike të Prizrenit dhe e ngulfat zhvillimin e asaj pjese të qytetit.
Ditë më parë në Kuvendin e Republikës së Kosovës u miratua në parim Projektligji për Qendrën Historike të Prizrenit. Ky projektligj që në momentin e parë të paraqitjes së tij ngjalli reagimin qytetar, të Kuvendit Komunal të Prizrenit, të shoqërisë civile dhe të shumë deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Për ta kundërshtuar këtë akt dhe për ta parandaluar miratimin final të tij, shumë organizata të shoqërisë civile kanë paralajmëruar protesta qytetare në Prizren.