Dogana planifikon 867 milionë euro

Edhe në vitin 2012 Dogana e Kosovës do ta bartë barrën kryesore sa i përket mbushjes së arkës së shtetit. Drejtori, Naim Huruglica, ka bërë me dije se vetëm gjatë këtij viti ky institucion ka paraparë të kontribuojë në Buxhetin e Kosovës 867 milionë euro.


“Gjatë këtij viti buxhetor Dogana e Kosovës ka planifikuar të kontribuojë në Buxhetin e Kosovës me 867 milionë euro apo 37 milionë më shumë sesa në vitin 2011. Ndërkaq, nëse e llogaritet në përqindje, do të kemi një ngritje prej 5-përqindësh në krahasim me vitin e kaluar”, tha ia.
Huruglica ka treguar se pas Doganës renditet Administrata Tatimore e Kosovës, e cila pritet t’i inkasojë 288 milionë euro.
Ai ka bërë me dije se vetëm nga rritja e akcizës në cigare Buxheti i Kosovës do t’i përfitojë rreth 7 milionë euro në vit. “Importuesi kryesor në Republikën e Kosovës do të vazhdojë të mbetet Bashkimi Evropian (BE) prej nga në vendin tonë do të eksportohen 40 për qind të mallrave. Edhe nga vendet e CEFTA-s do të importojmë 39 për qind. Ndërkaq me Turqinë, Kinën dhe disa shtete të tjera do të importojmë 20 për qind të mallrave”, ka thënë Huruglica, për Epokën e Re.
Ai ka shtuar se falë angazhimit të Doganës dhe institucioneve të tjera të Kosovës është arritur të ndalen kontrabanda dhe informaliteti në pikat doganore. “Dogana e Kosovës ka arritur të barazohet 100 për qind me eksportet evropiane në Kosovë. Kjo tregon se Kosova nuk ka kontrabandë ose lëshime të dyfishta të faturave. Pra, informaliteti është zvogëluar dukshëm”, ka deklaruar Huruglica.