Njohës të çështjeve politike thonë se interesat e ndryshme të partive politike në Kuvendin e Kosovës, po e shndërrojnë shpeshherë këtë institucion në një arenë hakmarrjesh politike.
Kjo, sipas tyre, ka ndodhur së fundi kur me nismën e subjektit politik Vetëvendosje, në dhjetor të vitit të kaluar, u miratua mocioni për reciprocitet me Serbinë, ndërsa disa javë me vonë ky mocion “u rrëzua” nga një mocion tjetër, po për të njëjtën çështje, i propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës.
Analisti Imer Mushkolaj, ka thënë për Radio Evropa e Lirë, se veprimet e fundit në Kuvend kanë dëshmuar se legjislativi i vendit është bërë një platformë për hakmarrje ndërmjet subjekteve politike. Ai thekson se veprimet rreth mocionit për reciprocitet me Serbinë tregojnë pafuqinë e këtij institucioni për t’i shtyrë përpara vendimet që merren në të.

Përgjatë viteve të fundit, nuk kanë qenë të pakta kritikat ndaj legjislativit kosovar, sipas të cilave ky i fundit në vend se ta kontrollojë qeverinë është shndërruar në dikaster të saj.
Puna e Kuvendit të Kosovës, sipas analistit Halil Matoshi, flet për mungesën e nacionalitetit.
“Në Kuvendin e Kosovës në vend të një patriotizmi konstitucional ligjor, deputetët shpesh bien viktima të një patriotizmi arkaik dhe historik”, deklaroi Matoshi, sipas të cilit mungesa e respektimit të të gjitha vendimeve që merren në Kuvend, tregon që niveli i demokracisë në Kosovë është tejet i ulët.
“Edhe Kuvendi i Kosovës është produkt i kësaj shoqërie dhe produkt i këtyre partive politike, të cilat shpeshherë e shkelin me të dyja këmbët vet sistemin e demokracisë”, shton Matoshi.