Problemet në RTK, themelohet Sindikata e dytë

Duke u nisur nga rrethanat e krijuara ne RTK, problemet financiare, mosmiratimi i ligjit për RTK, mosrregullimi i pronës së RTK-së, dhe mungesa e një zëri të mirëfilltë sindikal, ka bërë që një pjesë e punëtorëve të riorganizohemi dhe të krijojmë një sindikatë të re, Sindikata e Punëtorëve të RTK-së, ka thënë njëri prej nismëtarëve për krijimin e sindikatës së dytë brenda RTK-së Naser Thaçi, gjatë një konference për media.

Ai tha se reagimet e sindikatës së deritashme kanë qenë hedhje hi syve para opinionit të gjerë, kinse po akuzojnë menaxhmentin e RTK-së për keqmenaxhim dhe kapen për disa projekte që tashme janë ndërprerë.
“Sindikata e deritashme e RTK-së nuk merret me kontratat qe ende po vazhdojnë në RTK, e që janë të dëmshme. Reagimi i tyre është i vonuar. Ne i kemi të gjitha kontratat dhe e dimë saktë se cilat janë marrë në mënyrë të ligjshme dhe cilat në mënyrë të paligjshme, i kemi edhe nënshkrimet e anëtarëve të menaxhmentit, të cilat do t’i publikojmë në momentin e duhur. Kemi informacione të sakta se përfaqësuesit e lartë të sindikatës janë avancuar nga menaxhmenti në pozita të larta duke marrë paga të majme ndërsa kemi shumë punëtorë që me muaj të tërë punojnë pa kontrata për pozitat e tyre në të cilat gjenden, duke u dëmtuar kështu në paga”.
Sipas Thaçit, Sindikata e deritashme ka gati një vit që ka lënë punëtorët e RTK-së pa sigurime shëndetësore dhe janë përfolur në media se kanë favorizuar kompani të caktuar të sigurimeve me qëllim të përfitimit të tyre personal, për çka është anuluar tenderi që dy herë radhazi.
“Sindikata e deritashme ka mbledhur para nga punëtorët e RTK-së për vite me radhë, por kurrë nuk ka dhënë përgjegjësi dhe nuk ka qenë aspak transparent se ku i kanë shpenzuar këto të holla”.
“Sindikata e deritashme asnjëherë nuk ka reaguar për kërkesat e punëtorëve të sektorëve të caktuar të cilët janë ankuar se po shkelen të drejtat e tyre. Ata janë marrë me çështje editoriale qe nuk ka qenë aspak punë e tyre. Janë lavdëruar se e kanë nxjerrë shujtën, por kjo aspak s’është e vërtetë. Shujta ka ardhur pasi që ligji e ka obliguar menaxhmentin ta bëjë një gjë të tillë. Kjo sindikate publikisht ka mbrojtur keqpërdorimet që janë bërë në menaxhmentin e kaluar duke legjitimuar keqpërdorimin e financave të RTK-së për të organizuar mbrëmje shumë të shtrenjta me valltare te zhveshura që patën dëmtuar shumë imazhin e RTK-së”.
Sipas tij, mosreagimet e deritashme për përmirësimin e gjendjes së punëtorëve në RTK i ka shtyrë që të nisin hapat për themelimin e edhe një sindikatë te re brenda RTK-së.
“Këto janë vetëm disa nga arsyet që na kanë shtyrë ne, punëtorët e RTK-së, që të marrim këtë hap qe të formojmë Sindikatën e Punëtorëve të RTK-së me të cilën do të mundohemi që të drejtat e punëtorëve të respektohen 100 për qind”, tha Naser Thaçi, njëri nga nismëtaret për themelimin e sindikatës.
Në konferencë ka marr pjesë ë edhe kryetari i BSPK-së Haxhi Arifi, i cili ka ofruar përkrahje për nismën e punëtorëve të RTK-së. Ai ka thënë se asnjëherë nuk ka kontaktuar me sindikatën e deritashme të RTK-së, madje as nuk e di se kush është kryetar i saj.