Negociatat, BB: Në rrezik kreditë e këqija

Prej rreth dy javësh, një ekip i Bankës Botërore (BB), pa nga afër situatën makroekonomike në vend, me synim akordimin e një shume financimi si ndihmë në kushtet e krizës. Aktualisht, negociatat kanë mbetur pezull dhe palët janë përshëndetur pa arritur një marrëveshje, ndoshta në pritje të një tjetër tratative në ditët e ardhshme. Ajo çfarë dihet zyrtarisht, është se banka ka rënë dakord të lëshojë një kredi deri në 300 milionë dollarë, në rast se qeveria shqiptare pranon disa kushte, që vërtiten rreth reduktimit të borxhit.

Gazeta “Shqip” mëson të tjera zhvillime interesante gjatë takimeve që ekipi prej katër vetash i BB, pati me institucionet kryesore në vend, ndër to edhe me Komisionin Parlamentar të Ekonomisë. Diskutimet janë mbajtur të fshehta, larg medias fundjavën e kaluar, ku ekspertët e bankës kanë paraqitur disa alternativa për marrjen e masave ligjore, që Kuvendi ka kompetenca të ndërhyjë. Mësohet se shqetësimi i BB-së nuk është vetëm borxhi në tërësi i qeverisë, por sistemi bankar në vend, sidomos kreditë me probleme, niveli i të cilave ka kapërcyer pragun e 18 për qind, duke u kthyer tashmë në kërcënim për vendin.
“Është e nevojshme ngritja e një grupi pune të nivelit të lartë nga Ministria e Drejtësisë, Ministria e Financave, Banka e Shqipërisë dhe grupet e interesit, me synim reduktimin e kredive me probleme”, iu drejtua Michael Edwards, koordinator i sektorit financiar për Shqipërinë, pranë BB-së. Kreditë me probleme kanë kapur majat, në nivele rekord 100 miliardë lekë dhe për këtë shkak, banka e shikon me mjaft shqetësim situatën e krijuar. Tjetër propozim i ekspertit lidhet me sigurinë e depozitave në banka, duke u kërkuar anëtarëve të Komisionit të Ekonomisë ndryshimin e ligjit për funksionimin e Agjencisë së Depozitave përmes amendimeve të ligjit.
Gjithashtu, po në sistemin bankar, Edwards shikon me rëndësi finalizimin e projektit të bankës së Shqipërisë për kthimin e bankave nga degë në filiale. Të gjitha rekomandimet e mësipërme janë të nevojshme në kushtet e goditjes së një krize të madhe në Eurozonë. Gjatë takimit me deputetët e Komisionit të Ekonomisë, nuk kanë munguar edhe diskutimet sa i takon nivelit të rritjes ekonomike dhe planit për shkurtimin e borxhit. Nëse BB vlerëson një rritje për 2012-n në 2 për qind, qeveria pret ta ketë 3 për qind (rishikimi i fundit në janar), dhe për këtë qëllim palët hasin shumë kontradikta në ecurinë e realizimit të marrëveshjes