Kryeministri i mban fshehtë vendimet e ti

Asnjë vendim i kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, nuk është publikuar gjatë gjithë mandatit qeverisës. As qasje nuk lejon në to.

Në uebfaqen e Qeverisë publikohen vetëm vendimet e marra në mbledhjet e rregullta javore. Aty janë kopjet edhe të ligjeve në fuqi, si dhe të akteve nënligjore dhe të dokumenteve strategjike, raporton “Koha Ditore”.
Po kështu, është vënë së fundi edhe regjistri i akteve nënligjore të nxjerra nga Qeveria dhe nga ministrat. Por, edhe këtu mungojnë titujt e vendimeve të kryeministrit.
Bazuar në Rregulloren për fushat e përgjegjësisë administrative të Zyrës së kryeministrit dhe të ministrive, kryeministri merr vendime përtej atyre që i firmos në emër të Qeverisë.
Midis të tjera vendimeve, janë edhe ato për emërimin e zëvendësministrave. Në asnjë nga to nuk i është lejuar qasje publikut në linjë zyrtare.
Kryeministri Thaçi nuk ka treguar deri tash numrin e zëvendësministrave që ka emëruar, pavarësisht se disa herë është përballur me këtë pyetje. Kjo ngaqë në mandatin e ri ka rritur numrin e zëvendësministrave, i cili për dikastere të veçanta qeveritare, ka shkuar deri në tre.