Shef i ekipit negociator serb për bisedime me Prishtinë, Borislav Stefanovic, i ka propozuar ndërmjetësit të BE-së Robert Cooper, disa-propozim modele për përfaqësimin rajonal të Kosovës. Ndonëse nuk ka sqaruar se për çfarë propozimesh është fjala, ato thuhet të jenë “në përputhje me Rezolutën 1244”.
Stefanovic dhe Cooper kanë biseduar sot, siç thuhet në një komunikatë të qeverisë së Serbisë, rreth çështjes së përfaqësimit rajonal të Kosovës dhe rreth zbatimit të marrëveshjeve të arritura në dialogun Beograd-Prishtinë. Në komunikatë nuk përmenden detaje të propozimeve të Stefanovicit.
Zyrtarët evropianë kanë thënë ditë më parë se vazhdimi i dialogut me Prishtinën dhe zgjidhja për përfaqësimin rajonal të Kosovës janë të rëndësishëm për vazhdim të integrimit evropian të Beogradit.
Cooper nesër arrin për vizitë në Prishtinë.