Ndonëse zyrtarë të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit thonë se viti 2011 ishte një vit i suksesshëm për kulturën, ndryshe mendojnë artistët.
Regjisori Bekim Lumi thotë se Ministria në vend se t’i inkurajojë përpjekjet e artistëve, ajo i ka degraduar ata duke bërë ndërhyrje politike në institucionet kulturore të vendit. Sipas tij, duhet të jetë e qartë dhe të nënkuptohet se nuk ekzistojnë artistët dhe institucionet kulturore për shkak të MKRS-së, por se MKRS-ja ekziston për shkak të artistëve.
Këshilltari i ministrit Memli Krasniqi, Shasivar Haxhijaj, i përgjigjet regjisorit duke thënë se ky ka qenë viti ku më së paku ka pasur ndërhyrje politike!
“Nuk mundet mu marr edhe mu qujtë ndërhyrje politike, në qoftë se emërohet ose shkarkohet një bord i caktum i njanit prej institucuioneve të kulturës”, ka thënë Haxhijaj për Kosovapress. Sipas tij, artistët mund të mos jenë të kënaqur, ngase nevojat dhe kërkesat e tyre mund të jenë shumë të mëdha, ndërsa mundësitë buxhetore në Ministrinë e Kulturës nuk janë aq të mëdha.
Miftari e akuzon Ministrinë e Kulturës se ka tendenca që ta tjetërsojë buxhetin e saj, në mënyrë që t’i ik suficitit buxhetor.
“Ministria po e shpalosë pafuqinë e saj që të menaxhojë mbi të tjera edhe me vetë buxhetin e Ministrisë”, ka thënë ai.
Regjisori Lumi i bën thirrje Ministrisë së Kulturës që të çlirohet nga mentaliteti i ndërhyrjeve dhe presioneve klanore, burokratike e politike mbi institucionet kulturore dhe ta dëgjojë më shumë zërin e artistëve.
Kësaj thirrjeje të Lumit, këshilltari i ministrit i përgjigjet duke i thënë se në vitin 2012 Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit pritet ta ketë buxhetin më të madh, me të cilin “do të ketë përkrahje më të madhe, qoftë për artistët, qoftë për teatrin, si dhe për të gjitha degët e tjera që i takojnë ministrisë”.
Ndryshe, MKRS në vitin 2011 kishte buxhetin rreth 13 milionë euro, ndërsa sipas zyrtarëve të kësaj Ministrie, buxheti për vitin 2012 do të jetë mbi 18 milionë euro