Serbët e veriut nuk heqin dorë nga referendumi

Serbët e veriut të Kosovës, pavarësisht ‘thirrjeve’ të Beogradit zyrtar për të mos mbajtur referendumin, nuk do të heqin dorë nga nisma e tyre. Kështu kanë deklaruar të mërkurën të ashtuquajturit përfaqësues të serbëve të veriut të Kosovës në një konferencë për media në Beograd.

“Referendumi nuk ka vonesa dhe duhet të mbahet në Ditën e Shtetësisë së Serbisë. Kjo është edhe simbolika kryesore, edhe mesazhi i referendumit”, ka thënë një nga politikanët serbë të veriut, Marko Jaksic, raporton RFE.
Dita e Shtetësisë së Serbisë kremtohet më 15 shkurt. Serbët e Mitrovicës, Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit kanë paralajmëruar mbajtjen e referendumit më 14 dhe 15 shkurt. Përmes këtij organizimi, ata kanë për qëllim “të qartësojnë vullnetin e komunitetit të tyre për lejimin ose moslejimin e shtrirjes së autoritetit shtetëror të Kosovës në veri të vendit”.