Komiteti Qeveritar për Privatizimin e KEDS (KQP), të martën, ka aprovuar shtyrjen e afatit për dorëzimin e ofertave deri me 20 prill të këtij viti. Ky vendim vjen me kërkesën e kompanive të parakualifikuara Limak, Calik, Elsewedy dhe TAIB të cilat kanë kërkuar nga KQP-ja kohë shtesë për t’i përgatitur ofertat e tyre, për privatizimin e Distribucionit dhe Furnizimit me Energji Elektrike të KEK.
Ministria e Zhvillimit Ekonomik (MZHE) ka njoftuar se Komiteti Qeveritar për Privatizim në pajtueshmëri të plotë të ministrave anëtarë, ka vendosur gjithashtu që ti lejojë kompanitë e parakualifikuara në këtë proces privatizimi, që të kenë mundësinë e formimit të konzorciumeve në mes veti, me qëllim të nxitjes dhe stimulimit të ofertave sa më cilësore.
“Procesi pritet të shkoj sipas agjendës së paraparë nga KQP, ofertat e kompanive të parakualifikuara pritet të dorëzohen nga investitorët në afatin përfundimtar me 20 prill, deri në orën 12 pranimi i ofertave do të jetë i hapur për publikun”, theksohet në komunikatë.
Ofertat e kompanive të parakualifikuara pritet të përshkojnë nëpër një proces vlerësimi që së pari parashihet të përmbushen kriteret teknike të ofertës dhe pas përmbushjes së tyre, procedohet me ofertën financiare. Oferta më e lartë financiare, do të shpallet fituese e tenderit për privatizimin e KEDS.