Në Kosovë nuk ka shërbim tjetër të inteligjencës përveç Agjencisë së Inteligjencës së Kosovës (AKI). Zyrtarët e këtij shërbimi kanë shtrirje edhe në veri të vendit dhe dinë gjithçka që ndodh në kohë reale. Periudha e konsolidimit të këtij institucioni ka përfunduar. Kështu ka thënë Bashkim Smakaj, shefi i AKI-së.
Shefi i Agjencisë së Inteligjencës së Kosovës (AKI), Bashkim Smakaj, në një intervistë për radion Evropa e Lirë, ka thënë se institucioni që ai drejton, është i vetmi që mbledh informacion dhe që kryen veprimtari të inteligjencës në Kosovë.
“Nuk them se partitë politike kanë shërbime, por nëse individë të caktuar thirren me emra të caktuar ose me emra që kanë ekzistuar me herët, është çështje kriminale që duhet të adresohet, edhe nga ne, edhe nga policia", ka thënë Smakaj.
Ai ka shtuar se AKI pothuajse ka përmbyllë të gjitha fazat e konsolidimit dhe aktualisht janë në rrjedha normale të funksionimit.
Duke folur për sfidat e krijimit, Smakaj ka thënë se ata nuk kanë trashëguar asgjë si shërbim i ri, as sa i përket arkivave dhe dosjeve të së kaluarës, as personel të trashëguar nga shërbimet më herët, as infrastrukturë përcjellëse.
Lidhur me shtrirjen, Smakaj ka deklaruar se ata e kanë bërë publike ekzistencën e tyre edhe në veri të Kosovës.
“Ne, prioritet themelor në agjenci e kemi pasur edhe mbledhjen e informacioneve për çështje të sigurisë së vendit edhe nga veriu i vendit”, është shprehur ai, duke shtuar se është bërë shtrirja edhe e oficerëve ose zyrtarëve operativ të agjencisë në veri të vendit të cilët operojnë jashtëzakonisht mire.
”Kemi arritur numër të konsiderueshëm të burimeve të informacionit në atë pjesë të vendit dhe pothuajse për të gjitha ngjarjet jemi në rrjedha të vazhdueshme, si agjenci e inteligjencës”, ka thënë Smakaj.
I pyetur për mundësinë e funksionimit të shërbimeve të huaja të zbulimit në Kosovë, bashkim Smakaj ka thënë se për ketë çështje ka raportuar edhe para komisionit parlamentar për mbikëqyrjen e AKI-së.
“Kjo ka qenë e shënuar në një rresht të vetëm në Raportin e Komisionit Evropian, në raportin prej disa faqeve që ka qenë diku 62, 63 gjithsej”, thotë ai.
Sipas tij, kjo ka zgjuar debat edhe në publik.
“E kam thënë edhe në komision se shërbime të inteligjencës përveç AKI-së, dhe kuptohet pjesa e FSK-së, e policisë dhe Doganave që i kanë strukturat e inteligjencës për nevoja të veta, nuk ka asnjë shërbim që mbledhë informacion për sfidat e sigurisë së vendit, cenimit të sovranitetit dhe integritetit të Republikës së Kosovës, informacione për luftën kundër terrorizimit, krimit të organizuar, kundër spiunazhit - nuk ka asnjë subjekt politik që ka shërbime të tilla që bëjnë konkurrencë ose bëjnë veprimtari të inteligjencës në Republikën e Kosovës”, shprehet ai.
Smakaj ka demantuar zërat se ekziston ndonjë shërbim tjetër paralel i inteligjencës në Kosovë.
”Si shërbime të inteligjencës për të cilat dëgjohet në publik, ne nuk kemi hasur asnjëherë ose nuk hasim në atë që dikush na bën konkurrencë ose që mbledh informacion për interesa të Kosovës. Të paktën ne nuk kemi ndonjë informacion të mirëfilltë që na dëshmon ne që dikush tjetër është duke bërë veprimtari të inteligjencës në Kosovë”, ka thënë shefi i AKI-së.