Lëvizja Vetëvendosje (VV) e ka cilësuar të panevojshëm themelimin e Këshillit Kombëtar për Integrime Evropiane, duke konsidruar se Kosovës nuk i kanë munguar këshillat e rekomandimet e mira që tash të kemi edhe një organ këshillëdhënës.
“Kosovës i kanë munguar vendimet e drejta dhe të duhura të Qeverisë së Kosovës. Në Republikën e Kosovës ka: Ministri për Integrim Evropian, Komision Parlamentar për Integrim Evropian, Komision Ndërministror për Integrim Evropian, Zyrat për Integrim Evropian në secilën ministri dhe zyrtarë për Integrim Evropian në secilën komunë të Kosovës. Pra, nuk ka mungesë organesh a komisionesh, por ka mungesë vullneti meqë ka tepri qeveritarësh që kanë privatizuar shumëçka dhe kanë personalizuar gjithçka”, thuhet në reagimin e VV.
Më tej Lëvizja Vetëvendosje bën të ditur se nuk do jetë pjesë e kësaj iniciative dhe këtij Këshilli.
“Konsiderojmë se konsensusi kombëtar për integrim evropian ekziston. Madje, mund të themi se kemi konsensus për integrimin evropian si për asgjë tjetër. Nuk ka nevojë të krijojmë organe të reja për të ndërtuar diçka që tashmë e kemi. Ajo që mungon në Kosovë është vullneti qeveritar për të çuar përpara reformën për integrim nga se pjesë e reformës janë vetë personazhet e kësaj Qeverie që përbëjnë pengesën kryesore në reformë”, thuhet në kumtesë.
Qëndrimet lidhur me formimin e Këshillit Kombëtar për Integrime Evropiane, thuhet se përfaqësuesit e VV ia kanë sqaruar Presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, në takimin e mbajtur të hënën më 26 mars si dhe në një letër zyrtare që është dërguar paraprakisht në presidencë.