Të shtunën nga shtëpia e “Big Brother” u largua Ermira Kaso. Ajo ishte e pranishme të hënën në studion e “Pasdites” në Top Channel, për të rrëfyer mbi përvojën e saj.
Ermira ka pohuar se nuk e kishte pritur eliminimin dhe është e befasuar me daljen e saj.
“Në fakt, realisht u befasova me daljen time. Ishin të shumtë ata që më kanë thënë se nuk e prisnin të dilja dhe madje as unë nuk e prisja që të isha midis gjashtë nominimeve me më pak preferenca. Duke parë personazhet në nominim, mendoja se do të lija 2-3 pas. Të paktën mendoja se do lija pas Anilën dhe Lorenën”, ka thënë Ermira.
Ajo ka pohuar se tashmë i është kthyer jetës normale dhe do të vazhdojë jetën si gjithmonë.
“Jeta vazhdon si gjithmonë. Nuk kam parë me vëmendje se si pritem në rrugë, por dola sot e piva një kafe me miqtë në mëngjes. Jam njeri që më pëlqejnë fytyrat dhe lëvizshmëria, por jo se aty brenda përjetova një situatë të keqe, madje u ndjeva rehat dhe mendoja të rija më shumë si në shtëpi dhe të ndikohesha sa më pak nga kamerat”, ka shtuar Ermira.