Fillon Studimi i fizibilitetit, s’ka datë për Udhërrëfyes

Komisioneri për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Stefan Fule deklaroi të martën në Prishtinë se lansimi në mënyrë formale i fillimit të Studimit të fizibilitetit e lëviz agjendën evropiane edhe një hap më tutje dhe se viti 2012 është vit i rasteve për Kosovën. Duke folur për përmbushjen e standardeve të kërkuara nga Bashkimi Evropian, Fule pranoi se administrata publike është duke u bërë sfidë shumë më e madhe për autoritetet në Kosovë.

Këto komente, Fule i bëri në konferencën për media pas takimit të parë të Këshillit kombëtar për integrime evropiane të themeluar nga presidentja e vendit, Atifete Jahjaga.
Në konferencën e përbashkët për media me presidenten Jahjaga, Fule tha se nuk mund ta jap kohën e saktë kur Kosovës do t’i jepet Udhërrëfyesi për vizat, mirëpo shprehu zotimin në këtë drejtim.
Megjithatë, komisioneri për Zgjerim lansimin formal të Studimit të fizibilitetit, e quajti si një hap dhe periudhë të re të marrëdhënieve Kosovë-BE.
Duke u përgjigjur në pyetjet se a është duke u bërë vetëm retorikë dhe jo punë konkrete për procesin integrues të Kosovës, Fule tha ndryshe është procesi aktual dhe ai i disa muajve më parë.
Fule ka thënë se ky studim do të bëjë një përfshirje të vlerësimeve lidhur me të arriturat në Kosovë. Sipas tij, studimi, do të identifikojë edhe sfidat që duhet përmbushur tutje, në mënyrë që edhe Kosova një ditë të mund të negociojë për nënshkrimin e marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit.
Komisioneri për Zgjerim tha se është tejet e rëndësishme të përmbushen reforma elektorale, të ketë zbatim të ligjit, të respektohen të drejtat e pakicave, ndërkaq sa i përket administratës publike konfirmoi se është duke u bërë sfidë shumë e madhe për autoritetet në Kosovë.
Ndërkaq, presidentja e vendit, duke shprehur zotimin për përmbushjen e kritereve për procesin integrues, tha se integrimi evropian është një projekt kombëtarë.
Ajo u shpreh se është e rëndësishme që Kosova dhe i tërë Ballkani Perëndimor të integrohen sa më shpejt në BE.
Presidentja vlerësoi se Kosova dhe BE, në marrëdhëniet ndërmjet tyre kanë bërë një hap tejet të rëndësishëm me hapjen e procesit për liberalizimin e vizave dhe fillimit të studimit të fizibilitetit.