Instituti Demokraci për Zhvillim (D4D) ka publikuar një analizë të punës së Komisionit për Reformë Zgjedhore si dhe amendamenteve të cilat udhëzojnë hartimin e draft-ligjit, në të cilën vlerësohet se bazuar në punën që është bërë deri më tani dhe kohën që ka mbetur në dispozicion është pak e pritshme që ligji i ri të ngushtojë hapësirën për keqpërdorime.
Instituti Demokraci për Zhvillim thekson se procesi ka marrë tatëpjetën nga fillimi si dhe as marrëveshja politike në mes të liderëve të tri subjekteve politike dhe as Rezoluta e Kuvendit të Kosovës nuk referohen në procesin e dëmtuar zgjedhor.
“Krijimi i një grupi të jashtëm punues e ndërlikoi procesin e reformës zgjedhore. Vendimmarrja u bart nga komisioni që përbëhet vetëm nga deputetët tek një grup më i gjerë që defaktorizoi Kuvendin. Krijimi i një grupi të tillë punues kishte për pasojë edhe zhvendosjen e vendimmarrjes. Anëtarët e komisionit u bënë mysafir dhe humbën kontrollin e procesit, dhe vendimet filluan të merreshin gjetiu. Më shumë çon peshë procesi ku harmonizohen qëndrimet, ballafaqohen kundërshtimet dhe nxjerrët kompromisi sesa vendi ku nënshkruhen ato. Këto të gjitha janë bërë në grup punues dhe në komision vetëm sa është hedhur për votë formale”, thekson ky institut.
Sipas D4D, Komisioni lavdërohet se sukseset kryesore janë ulja e fushatës nga 30 në 20 ditë dhe heqja e obliguar e posterëve. “Nuk është punuar as përafërsisht sa duhet në listë të votuesve, disiplinë të komisionerëve, apo në ndryshime ligjore që rrisin mundësitë për identifikim dhe dënim të manipuluesve”, vlerëson ky institut.
Sipas tyre, nëse komisioni përfundon punën pa i kryer objektivat e tij të cilat kanë qenë ndryshimi i ligjit për të mbrojtur procesin zgjedhor nga manipulimet dhe krijimin e zonave zgjedhore për një përfaqësim më të mirë atëherë kjo me të vërtetë mund të thuhet se është bërë reformë sa për adet.
Me këtë rast, D4D insiston se duhet një Kod gjithëpërfshirës zgjedhor dhe se është më mirë vonë se fare mos të kemi një reformë rrënjësore.
“Tani që dihet se nuk do të ketë zgjedhje këtë vjeshtë, kjo kohë duhet të shfrytëzohet maksimalisht për reforma të mirëfillta. Pas vendimit për zgjedhje të drejtpërdrejta për President, Kosova rrallëherë do të ketë luksin e viteve pa zgjedhje dhe kjo duhet të shfrytëzohet për reforma rrënjësore. Vendimi për çështjen e sistemit zgjedhor (zonat, pragun, listat) duhet të merret sa më shpejtë. Tendenca për mbylljen e listave paraqet degradim dhe duhet të luftohet. Një rishikimi i mirëfilltë duhet të përfshijë edhe Kodin penal”, rekomandon ndër të tjera instituti Demokraci për Zhvillim.