Zëvendëskryeministri, Hajredin Kuçi, njëherësh ministër i Drejtësisë në takimin me Stephen Jonston, udhëheqës i Shërbimit Korrektues të EULEX-it, ka kërkuar mbështetjen e Njësitit të shërbimit korrektues të EULEX-it në ngritjen e kapaciteteve të qendrave korrektuese dhe të paraburgimit në Kosovë.
Në njoftimin për media thuhet se Kuçi në takimin me Jonston ka biseduar për punët që po bëhen në qendrat korrektuese dhe të paraburgimit të Kosovës dhe për mundësitë e ngritjes së kapaciteteve të këtyre qendrave.
Jonston premtoi ndihmën profesionale të Njësitit të Shërbimit korrektues të EULEX-it në luftimin e dukurive negative brenda qendrave korrektuese dhe të paraburgimit të Kosovës, posaçërisht në Qendrën Korrektuese të Dubravës, në klasifikimin e të burgosurve dhe risocializimin e tyre me anë të programeve adekuate, si dhe funksionalizimin e njësisë ekonomike të SHKK-së.
Bëhet e ditur se në takim është biseduar edhe për mundësitë e bashkëpunimit në funksionalizimin e plotë të Qendrës Korrektuese të Smrekovnicës dhe në trajnimin adekuat të stafit që do të punojnë në Burgun e Sigurisë së Lartë.