Organizata për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD), ka paralajmëruar se pavarësisht qetësisë në tregjet financiare kriza në eurozonë nuk ka përfunduar ende. Organizata ka paralajmëruar për dobësi të sistemit bankar në rajon, për rritje të nivelit të borxheve në të gjithë bllokun e monedhës së përbashkët si dhe për faktin që të gjitha qeveritë europiane ende nuk kanë garantuar synimet fiskale.
Ndërkohë që eurozona po i drejtohet recesionit OECD ka bërë thirrje që 17 vendet e bllokut të realizojnë reforma ambicioze në fushën e ekonomisë dhe u ka rikujtuar qeverive se nuk kanë as luksin dhe as hapësirat e nevojshme për të qenë të pavëmendshëm.
"Besueshmëria e tregjeve tek borxhi sovran në eurozonë është ende i dobët” thotë organizata me qendër në Paris në një raport mbi shëndetin e ekonomisë së bllokut. Në këtë raport thuhet se “parashikimi për rritjen e ekonomisë në mënyrë të pazakontë është shumë i pasigurt dhe varët në mënyrë kritike tek zgjidhja e krizës së borxheve sovrane”. Por në ndryshim nga komisioni europian dhe nga fondi monetar ndërkombëtar që thonë se rajoni do tkurret, OECD parashikon që eurozona në këtë vit të rritet me 0.2 për qind. Shumica e analistëve në rang global ndahen në opinionin mbi masën e rënies së ekonomisë së Eurozonës.
Por të gjithë janë në një mendje se rritja e ekonomisë në bllokun e monedhës së përbashkët është në varësi të performancës së ekonomisë amerikane dhe Azisë. Ata argumentojnë se në Europë besueshmëria e dobët e biznesit, kursimet në buxhetet kombëtare do të ndikojnë në forcën konsumatore europiane dhe do rrisin papunësinë.
Sipas vlerësimeve të OECD niveli i borxhit në qeverive të eurozonës do të arrijë në 91 për qind të prodhimit të brendshëm bruto, pavarësisht aplikimit të programeve të shtrëngimit ekonomik dhe përmbi nivelin e lejuar nga traktatet europiane.