Republika e Kosovës është e gatshme të marrë përgjegjësitë e veta për realizimin e detyrave që ia ka caktuar Bashkimi Evropian. Gjithashtu, porosia nga BE-ja për Kosovën është që kjo e fundit t’i kryejë detyrat e veta, ndërsa për problemet që mund t’i shkaktojnë këtij procesi pesë vendet e BE-së që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, me ta do të merret Brukseli. Këto komente i ka bërë sot kryetari i Komisionit Parlamentar për Integrime Evropiane, Lutfi Haziri, pas takimit që pati me Lawrence Meredith, kryesues i Njësisë për Kosovë në Bruksel.
Haziri ka thënë se BE-ja po tregon një seriozitet dhe angazhim për institucionet dhe shtetin e Kosovës, duke i caktuar edhe detyrat që duhen plotësuar në mënyrë që Kosova të jetë pjesë e familjes evropiane.
“Ka të bëjë me një angazhim serioz përfundimisht, por përgjegjësinë në institucionet e Kosovës, sa i përket rrugës, kohëzgjatjes së procesit, sepse detyrat janë të qarta, janë vendosë katër shtylla kryesore dhe ato detyra do t’i realizojë secili segment i shtetit”, ka thënë Haziri, raporton Kosovapress.
Ndërsa, Lawrence Meredith, kryesues i Njësisë për Kosovë në Bruksel nuk është prononcuar për media.